Kadilli takon ambasadoren Yuri Kim: Shpalosa “Manifestin Politik”

kadilli 1 1100x620

Kandidati për kryetar i Partisë Demokratike Fatbardh Kadilli është takuar sot me ambasadoren amerikane në vendin tonë Yuri Kim. Në një postim në Facebook ai shprehet se ka diskutuar për zhvillimet politike në PD dhe në vend, si edhe i ka shpalosur kryediplomates amerikane parimet e tij politike.

“Sot pata kënaqësinë të zhilloja një takim të gjatë dhe të frytshëm me Ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zonjën Yuri Kim. Biseda u përqëndrua te zhvillimet politike në PD dhe në vend. Jam i lumtur që shpreha në takimin me të dërguarën e vendit më demokratik në botë, dhe aleatit strategjik të Shqipërisë, një zë të protestës kundër mënyrës si shkojnë gjërat në Shqipëri por edhe në partinë time, siç edhe shpalosa Manifestin Politik, jo vetëm për demokratët, por edhe shoqërinë”.

Kadilli thekson se me ambasadoren Kim ndau mendimin që Partia Demokratike është aset i pazëvendësueshëm, si edhe për bashkëpunimin amerikan dhe arritjet e Shqipërisë nën udhëheqjen e PD-së.

“Me zonjën Kim ndamë mendimin se Partia Demokratike është aset i pazëvendësueshëm dhe se, në fillesat e saj është dora e pamohueshme amerikane. Gjithashtu në takim nënvizuan faktin e pamohueshëm se Uashingtoni dhe Shqipëria, nën udhëheqjen e PD kanë punuar bashkë dhe bërë shumë gjëra të mira. Për gjërat e mira, për të ardhmen, por edhe ruajtjen e traditës dhe mësimeve të saj, ishte biseda sot. Si kandidat për kryetar i PD dhe si demokrat nuk mund të mos i shpreh mirënjohjen ambasadores Kim dhe vendit të saj te i cili shohim jo vetëm partneritetin dhe miqësinë, por edhe misionin e përbashkët për një botë më të mirë dhe të ardhme më të sigurt”.

Takimi i Fatbardh Kadillit me ambasadoren Yuri Kim, vjen 10 ditë para zgjedhjeve në parti dhe pas atij të kandidatit tjetër për kryetar të PD-së, Agron Shehaj.