Kushtetuesja fillon me “Teatrin”, 1 vit pas shembjes nis shqyrtimi i padisë së presidentit

Një vit pasi teatri kombëtar u rrafshua, Gjykata Kushtetuese nisi shqyrtimin e padisë së Presidentit I cili kërkon anulimin e të gjitha akteve zyrtare që çuan në shembjen e godinës.

“Sapo ka nisur gjykimi kushtetues që presidenti ka kërkuar e ka pritur prej 2 vitesh me radhë. Besojmë fortë se do të sjell edhe një herë drejtësinë kushtetuese në Shqipëri. Për fat të keq u cenua por mund të rikuperohet tani”, tha Bledar Dervishi, këshilltar i presidentit për çështjet ligjore.

Brenda Gjykatës u futën edhe përfaqësues të Aleancës së Mbrojtjes së Teatrit të cilët besojnë se drejtësia kushtetuese do të jetë në favor të tyre. “Në rastin e Tetarit Kombëtar është I qartë si drita e diellit që morali dhe ligji janë bashkë, përputhen plotësisht sepse është një aferë e madhe korruptive dhe ne jemi besimplotë se Gjykata Kushtetuese do të japë një vendim plotësisht të drejtë sepse me Teatrin Kombëtar ringrihet demokracia në këtë vend”, tha Edmond Budina.

Për shqyrtimin e padisë, Presidenca dhe Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit kishin kërkuar dëshminë e disa zyrtarëve të lartë shqiptarë e të huaj mes të cilëve Kryeministri Edi Rama dhe tre senatorë italianë që kishin qenë të gatshëm për të mbrojtur trashëgiminë kulturore shqiptare. “Sot në gjykatë u shqyrtuan vetëm kërkesat paraprake për marrje ne provave shtesë që vijojnë të mos jepen nga organet kompetente. Ndërkohë që pati një rrëzim të kërkesës për dëshmitarë”, tha Dervishi.

Seanca e radhës për çështjen e teatrit do të zhvillohet në 15 qershor.