“Nëna e gjeti djalin të vrarë pas derës”, flasin fqinjët e Shkëlzen Velajt

Shkëlzen Velaj mbeti i vrarë pak pas mesnatës në qytetin e Vlorës. Mësohet se policia ka gjetur të ndezur makinën e viktimës, gjë që bën policinë të dyshojë se 35-vjeçari ka nxituar për të hyrë në pallatin e tij, ku dhe u qëllua me breshëri automatiku nga autori.

Plumbat në drejtim të 35-vjeçarit kanë qenë nga një distancë e afërt. Ndaj tij është qëlluar me breshëri.

Ndërkohë, një nga fqinjët e viktimës ka folur për A2 duke bërë të ditur se nëna e gjeti të vdekur djalin e saj pas derës.

“Unë jam fqinje. Atje isha mbrëmë. E mori vesh edhe e ëma, por i thanë pas orës 02:30. Djali i kishte kërkuar të hapte derën. Ajo tha se kishte shkuar, por nuk e kishte hapur dot derën, ndërsa kishte dëgjuar zhurma. Kur kishte hapur derën e kishte gjetur djalin të vrarë”, u shpreh një fqinje e viktimës.

“Djali nuk kishte asnjë problem këtu. Madje, ai interesohej edhe për shtrimin e rrugëve. Ai e ka shtruar rrugën tonë, duke paguar vetë. Ishte një njeri shumë i rregullt për ne. Grua më të mirë nuk gjen në botë se sa e ëma e tij”, shprehet një tjetër fqinj.