Provimi i gjuhës së huaj, maturantët: Niveli i vështirësisë ishte mesatar, pyetjet ishin të qarta

Rreth 34 mijë maturantë iu nënshtruan testit të parë të maturës shtetërore. Për të dytin vit radhazi, ky proces u zhvillua nën masat mbrojtëse të diktuara nga pandemia e Covid-19.

Provimi për gjuhën e huaj, nisi në orën10:00 të mëngjesit në të gjitha shkollat njëkohësisht dhe zgjati 2 orë e gjysmë.

Për maturantët testi ishte mesatar edhe pse pohojnë se pandemia e Covid-19 ua vështirësoi mësimin përmes “online-it”.

Për disa të tjerë, pyetjet nuk ishin fort të thjeshta.

Ndryshe nga një vit më parë, kur situata nga pandemia ishte më e vështirë, këtë vit ministria riktheu pyetjet me zhvillim, esetë si dhe nuk reduktoi programin mësimor.60 pikë duhet të marrin nxënësit për të marrë notën 10-të, ndërsa për të siguruar kalueshmërinë duhet kaluar pragu i 25 përqindëshit.