Reagimi ndaj Kurtit, BE: Takimi është vazhdim i dialogut, jo proces i ri

peter stano 1100x620

Takimi i qershorit në Bruksel është vazhdim i dialogut dhe jo një proces i ri. Kështu reagoi Komisioni Europian ndaj deklaratave të fundit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili foli më herët për një kapitull të ri në negociatat me Beogradin.

Brukseli kërkoi nga Kurti një angazhim konstruktiv deri në përmbylljen me sukses të dialogut.

Peter Stano, zëdhënës i Komisionit Europian, theksoi se “rruga drejt Bashkimit Europian për Kosovën dhe Serbinë, kalon përmes dialogut të lehtësuar nga BE. Ky dialog ka nisur në vitin 2011 dhe vazhdon me takimin e nivelit të lartë së shpejti. Në kuadër të procesit që është në vazhdim e sipër, janë ndërruar qeveritë në të dyja anët, por përkushtimi ka mbetur”.

Stano deklaroi edhe që ”të gjitha çështjet e diskutuara deri me tani dhe që do të diskutohen në të ardhmen në kuadër të dialogut, janë kyçe për normalizimin gjithëpërfshirës të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Bashkimi Europian dhe shtetet anëtare, presin nga të dyja palët që të vazhdojnë përkushtimin e tyre për angazhim në këtë dialog dhe të zbatojnë marrëveshjet e mëparshme”.