Armando Broja do ta vijojë karrierën te kampionët e Champions League

broja 1100x620

Sulmuesi i kombëtares shqiptare, Armando Broja, do ta vazhdojë kontratën me skuadrën e Chelsea-t, kampione në fuqi në Champions League.

Sezonin e fundit, sulmuesi shqiptar ishte i huazuar te skuadra e Vitesse-s në Holandë, ku arriti ta mbyllë me 11 gola në 36 ndeshje.

Sipas Sky Sport, Thomas Tuchel ka vendosur që Broja të jetë pjesë e skuadrës së parë të Chelsea-t. Olivier Giroud ka vendosur të largohet pasi i përfundoi kontrata dhe Tammy Abraham nuk gëzon besimin e trajnerit gjerman, i cili e ka aktivizuar shumë pak gjatë këtyre muajve, ndaj gjasat janë që të shitet gjatë merkatos së verës.

Në këto kushte, Chelsea po kërkon për zgjidhjen brenda shtëpisë, pasi ka pronësinë e kartonit të Armando Brojës, i cili është rritur pikërisht te moshat e klubit londinez dhe ka kontratë me ta deri në verën e ardhshme.

Nëse Broja do të qëndronte me Chelsean sezonin e ardhshëm do të ishte një arritje e madhe për të, duke qenë se do të stërvitej me kampionët aktualë të Champions League.