Miqësorja me Uellsin, Reja: Jemi të lodhur, por gati për një rezultat pozitiv

reja 600x338
Reja 5.5 - Me mungesat e shumta kishte vështirësi, por ndër të tjera nuk kishte krijuar harmoni brenda grupit.

Trajneri i kombëtares shqiptare të futbollit, Edoardo Reja, u shpreh se Uellsi, kundërshtari në miqësoren e nesërme, është një skuadër shumë e mirë, teksa analizoi edhe pikat e tyre të forta dhe të dobëta, megjithatë ai theksoi se ekipi ynë është gati për të dhënë më të mirën dhe se është përgatitur për këto ndeshje.

Sipas tij, lojtarët janë të lodhur, por gati për rezultat pozitiv ndaj një ekipi që e cilësoi si të fortë fizikisht dhe të mirë teknikisht.

“Sigurisht që është problem ky fakt, pra që skuadra është e lodhur, megjithatë ne kemi punuar mirë gjatë këtyre ditëve, jemi përpjekur edhe të pushojmë pak, të rimarrim forcat. E dimë që nuk është e lehtë të përballesh me Uellsin, është një skuadër e fortë fizikisht, në të njëjtën kohë edhe teknikisht është shumë e mirë. Një skuadër që ka eksperiencë, ka edhe vlera të mëdha dhe nuk do të jetë aspak një ndeshje e lehtë për ne. Sigurisht unë nuk e di se kush do të zbresë në fushë nga skuadra e Uellsit, duke qenë se ata luajtën një miqësore me Francën të martën. Mendoj se trajneri i tyre do të bëjë ndryshime, do të ketë njëfarë rrotacioni, duke hedhur në fushë lojtarë më të freskët. Por gjithsesi ne jemi gati për të bërë më të mirën në këtë ndeshje dhe jemi përgatitur për të pasur një rezultat pozitiv”, tha Reja.

Sigurisht pika e tyre më e fortë është mesfusha dhe sulmi. Kanë lojtarë të nivelit te lartë sic është Gareth Bejl. Bëjnë një futboll shumë të mirë. Përveç se janë fizikisht mirë, janë edhe të shpejtë. Mendoj se nuk është më si dikur. Ata luajnë të gjithë në Angli por futbolli anglez nuk është më si dikur, tani janë më të përgatitur taktikisht kështu që do të jetë shumë e vështirë. Edhe në mbrojtje janë shumë të organizuar por mendoj se nëse flasim për pikat e dobëta, sigurisht mbrojtja është pika e tyre kritike. Por ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm që të luajmë me kundërsulmin na mënyrë të tillë që të përpiqemi t’i zëmë në befasi”, shtoi Reja.

Në lidhje me formacionin që do të zbresë në fushë nesër, Reja tha: “Pak a shumë unë e kam vendosur se si do të luajmë ndaj Uellsit. Kam pak dyshime përpara sepse kam katër lojtarë që janë në formë shumë të mirë, Balaj, Seferi por edhe Manaj, të cilët janë paraqitur shumë mirë. Nuk kam vendosur për sulmin pra, jam në dyshime. Sa i përket mesfushës, siç e kuptoni, Abrashi që do të jetë dhe kapiteni do të jetë patjetër në fushë dhe mund t’i bashkohen Bare dhe Çekici, i cili ka bërë një paraqitje të mirë këtë sezon në Turqi me ekipin e tij dhe mendoj se është momenti për ta provuar, duke qenë se edhe Memushaj, i cili nuk mund të ishte në këtë ndeshje por ka edhe një farë moshe dhe duhet të mendoj të gjej një zëvendësues për të në të ardhmen. Sa i përket repartit të mbrojtjes, pak a shumë dihet, Ismajli, Gjimshiti dhe Kumbulla do të jenë treshja e mbrojtjes, ndërsa në krah kam disa mundësi. Do t’i shqyrtoj sërish dhe nesër do të marr një vendim në këtë aspekt. Duke qenë se janë dy ndeshje në pak ditë do të kenë mundësi të luajnë të gjithë dhe do kem mundësi të bëj edhe zëvendësime në ndeshjen me Uellsin, ndërsa në ndeshjen me Çekinë do bëj sërish ndryshime në mënyrë që t’i aktivizoj të gjithë lojtarët”.