Nga dronët turq te fabrika e vaksinave, marrëveshjet e Ramës në Stamboll

Fluturimi i dronëve turq mbi tokën shqiptare, çelja e Universitetit Teknik të Stambollit në Shqipëri dhe ndërtimi këtu i një fabrike me 7 lloje vaksinash, ishin 3 lajmet që kryeministri Edi Rama dha nga Turqia.

Nga takimi me Presidentin Erdogan u shpërndanë vetëm këto foto, ndërsa Rama u kujdes të sqaronte se nuk bëhet fjalë për dronë ushtarakë, por për kontrollin e territorit të vendit me dronë superinteligjentë, për prodhimin e të dhënave në kohë reale mbi rrugët, bregdetin, etj.

Për fabrikën e vaksinave shkroi edhe ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, ndërsa ai i Rindërtimit, Arben Ahmetaj mori mbështetje nga homologu turk për vazhdimin e punëve, ku Turqia ndërton banesa në disa zona të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019.

Ministrja e Arsimit, Evis Kushi, mori garanci për çeljen në Shqipëri të filialit të Universitetit Teknik të Stambollit, ndërsa është në plan edhe fakulteti i ardhshëm i mjekësisë dhe infermierisë pranë Spitalit Rajonal Memorial të Fierit.

I vetmi takim që u pasqyrua me pamje filmike nga televizionet turke ishte ai i ministrave të Kulturës, Elva Margatiti dhe atij të Turizmit, Blendi Klosi. Mediat turke thanë së Ministri i Kulturës dhe Turizmit Mehmet Nuri Ersoy nënshkroi “Protokollin e Bashkëpunimit mbi Mbrojtjen e Trashëgimisë së Përbashkët Historike dhe Kulturore”, i cili u përgatit për të mbrojtur trashëgiminë e përbashkët në Shqipëri dhe për të forcuar lidhjet historike dhe kulturore mes Turqisë dhe Shqipërisë. Ndërsa Rama e cilësoi në postimin e tij në rrjetet sociale si program i restaurimeve të mëtejshme në Berat e Gjirokastër dhe investimet në hotelerinë me 5 yje në bregdet.