“Situata shqetësuese, dëshmi e revanshit të krimit”, Meta thirrje policisë për garantimin e sigurisë së jetës

30 PRILL ILIR META frame 29711 1100x620

Presidenti Ilir Meta ka reaguar në lidhje me ngjarjet kriminale në vend. Më e fundit është shënuar ditën e sotme në mes të kryeqytetit, ku babai i një vajze të divorcuar vrau ish-dhëndrin e tij. Duke e konsideruar situatën shumë shqetësuese, kreu i shtetit bën me përgjegjësi Policinë e Shtetit për paaftësi dhe shprehet se ngjarje të tilla janë dëshmi e revanshit të krimit në vend.

 “Ngjarjet shumë të rënda kriminale, me pasojë dhjetëra humbje jetësh dhe dëmtimin e shëndetit dhe të pronës së qytetarëve, që po ndodhin në mes të ditës, në ambientet publike, në zemër të qendrave urbane, deri edhe pranë institucioneve të larta të sigurisë, janë thellësisht tronditëse dhe një dëshmi e qartë jo vetëm e revanshit të krimit, por edhe e paaftësisë së Policisë së Shtetit dhe të strukturave të tjera të sigurisë dhe të zbatimit të ligjit, për parandalimin e tyre”.

Në këtë situatë kaq shqetësuese, që ka krijuar një pasiguri të madhe publike, i bëj thirrje Policisë së Shtetit, që në veçanti, ka për mision dhe përgjegjësi thelbësore ruajtjen e rendit dhe të sigurisë, garantimin e zbatimit të ligjit dhe mbrojtjes së jetës dhe pronës së qytetarëve, që të shkundet nga apatia dhe të përmbushë me rigorozitet të gjitha detyrimet e saj ligjore, duke luftuar krimin në çdo qelizë të shoqërisë dhe larguar prej saj çdo nëpunës të korruptuar dhe të lidhur me “botën e errët”.

Ai i bën apel Policisë që të garantojë zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e jetës së qytetarëve. Sipas tij këto ngjarje kriminale duhet të parandalohen në kohë dhe u bën thirrje të gjitha institucioneve ligjzbatuese që të bashkëpunojnë dhe të ketë efektshmëri mes tyre.

“Është tepër e domosdoshme, që të tilla vepra të rënda penale të parandalohen në kohë, të zbulohen, të hetohen dhe autorët e tyre të marrin ndëshkimin e merituar ligjor!

Ndaj ju bëj thirrje të gjitha institucioneve të sigurisë kombëtare, në veçanti Shërbimit Informativ të Shtetit, Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë të vendosin një bashkëpunim më të gjerë, më dinamik dhe efiçient mes tyre!