Analiza e PS, mes të shkuarës dhe të ardhmes

Edhe pse një ndër eventet më të rëndësishme në statutin e Partisë, Asambleja e Përgjithshme e socialistëve e mbajtur më 2 qershor zgjati vetëm 30 minuta. Rreth 400 anëtarë u mblodhën online, ndërsa ra në sy  mungesa e kreut të Partisë, kryeministrit Rama, i cili u largua më herët gjatë ditës drejt Turqisë.

Nën drejtimin e sekretarit të Përgjithshëm Taulant Balla, Asambleja miratoi disa projektvendime, ndër më të rëndësishmet ajo e analizës së zgjedhjeve dhe thirrja e kongresit të jashtëzakonshëm.

Në mekanizmin organizativ të socialistëve një falënderim të veçantë morën ata që shkaktuan më shumë debat në fushatë, patronazhistët.  Kjo formë organizimi, për politologun Afrim Krasniqi nuk është serioze.

“Ne e pamë që Asambleja zgjati rreth 20-30 minuta dhe me një votim gati qesharak online, ku kjo konsiderohet vendimmarrje në një demokraci dhe nuk shohim një reflektim. Ku është reflektimi? Ka zyrtarë që janë në ndjekje penale, ka zyrtarë që në listën e zezë amerikane që vazhdojnë të jenë anëtar anëtarësi dhe vazhdojnë të jenë vendimmarrës. Një parti serioze duhet të reagojë për rastet e tilla që të bëhet një model për partitë e tjera dhe jo vetëm të marrë te partitë e tjera”, thotë për A2 Krasniqi.  

Modelin e tyre socialistët e japin për analizën pas zgjedhore, e cila do të zgjasë për një periudhë 7 mujore. Sipas analistit Aleksandër Çipa, ky është vetëm një justifikim për të bërë ndryshime në strukturat e partisë. Vëmendja që Partia Socialiste i ka kushtuar analizës është edhe më e madhe.

Në një raport prej 116 faqesh të  siguruar nga A2 Cnn, që mban bashkautorësinë e Damian Gjiknurit, analizohet në mënyrë të imtësishme çdo faktor që ndikoi në rezultatin e zgjedhjeve në qarkun e Vlorës, duke evidentuar fajtorët dhe të suksesshmit.

“118 (76.6%) të deleguar patën performancë absolute negative (ulje votash). Në këtë grup, 78 të deleguar kishin një performancë më të ulët se performanca e qarkut, 30 prej tyre kanë performancë relative jo negative (nuk ka rënë % e votave të PS). 36 (23.4%) të deleguar patën performancë absolute jo negative. Në këtë grupim, 15 të deleguar patën performancë relative negative (rënie të %së PS)”, thuhet në raport.

Në raport përmendet  përfshirja e administratës në fushatë, ndërsa patronazhistët, kryefjala e fushatës së 2021-shit, në raportin e Vlorës kritikohen, për mosarritje të objektivave.

Për politologun Gjergji Vurmo, raporti tregon angazhimin e socialistëve në zgjedhje, ndërsa dokumentin e sheh dhe si një provë të mundshme për prokurorinë. Sipas Krasniqit raporti tregon indiferencën me të cilën trajtohen qytetarët nga Partia Socialiste.

Socialistët e Vlorës evidentojnë se vota preferenciale pati efekte negative, ndërsa si  kandidatët me efektin më të madh në votat e pavlefshme rezultojnë  Anila Denaj, Vullnet Sinaj dhe Niko Kuri. Një fenomen që në PS mendohet se ka kushtuar deri në 4mandate parlamentare.

 “Vota preferenciale solli një “betejë” të brendshme midis kandidatëve e cila si efekt anësor solli një numër të pazakontë të votave të pavlefshme (4,730 vota të pavlefshme), i cili natyrisht që dëmtoi rezultatin e PS-së. Ekziston një lidhje e fortë(statistikisht) midis votave të pavlefshme dhe votave preferenciale të kandidatëve: numri i kandidatëve që kanë marrë vota preferenciale në një QV në shumicën e rasteve është në përpjesëtim të drejtë me numrin e votave të pavlefshme”, vijon raporti.

Si zgjidhje të këtyre problematikave, raportuesit shohin Kongresin e Jashtëzakonshëm. “Në të gjitha qarqet ne duhet të përmirësojmë përbërjen e strukturës sonë organizative dhe forcimin e organizatave tona socialiste, të cilat jo në të gjithë territorin kanë dhe kishin efektivitetin e duhur si pas targetit të vendosur. Prandaj Asambleja Kombëtare, me kërkesë të Kryetarit të Partisë, do të thërrasë Kongresin e Jashtëzakonshëm, për fillimin e një fushatë hapjeje të re, më të madhe dhe reale të Partisë Socialiste, duke iu ofruar një mundësi të besueshme përfshirjeje të gjithë atyre që duan të bëhen pjesë e strukturave tona vendore”, thuhet aty. Zgjedhjet e strukturave në bazë do të jenë të vetmet në këtë kongres, i cili nuk do të përcaktojë kryesinë e re, e rrjedhimisht as sekretariatin.

Me 12 qershor socialistët do mbajnë mbledhjen e Kongresit të jashtëzakonshëm që përkon me 30 vjetorin e partisë. Një mundësi jo vetëm për të kthyer kokën pas, por që do të shfrytëzohet nga Edi Rama edhe për të treguar si do ta shkruajë faqen e re në librin e politikës shqiptare, atë të një mandati të tretë qeverisës.