Arrestohet në Kurbin “skifteri” që grabiste banesa në vendet e BE

kurbin 1100x620

Një 30-vjeçar shqiptar që grabiste banesat në disa vende të BE-së, ka rënë në prangat e Policisë së Kurbinit.

Pas një hetimi disamujor specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Lezhë, finalizuan operacionin “Aksesorët” dhe prangosën 30-vjeçarin me iniciale B. N., nga Kurbin, i cili ishte arrestuar më parë jashtë shtetit.

Policia sekuestroi 2 krehra pistolete me fishekë, municion luftarak, ora të markave të ndryshme dhe sende të tjera me vlerë që dyshohen se rrjedhin nga aktiviteti kriminal.

“Gjatë kontrollit të banesës, në kuadër të procedimit penal, iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 2 krehra pistolete me fishekë, municion luftarak, 55 ora të markave të ndryshme, 18 unaza, 20 byzylykë dore, varëse, për të cilat nuk dispononte asnjë dokumentacion apo faturë blerjeje, të dyshuara si produkte të veprimtarisë kriminale jashtë vendit në fushën e vjedhjes së banesave”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Materialet hetimore iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale”, “Ruajtja apo depozitimi i mallrave kontrabandë” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.