Basha në Durrës: Gara e brendshme, vlerë e PD, por kundërshtari ynë është regjimi Rama-Doshi

Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike Lulzim Basha është takuar sot me demokratët në qarkun e Durrësit, për zgjedhjet e 13 qershorit. Në fjalën e tij Basha theksoi se gara e brendshme është vlerë e PD, por nuk duhet harruar që kundërshtari i vërtetë është regjimi Rama-Doshi.

Sot ndodhemi në një moment statutor të garës së brendshme një anëtar një votë për kryetarin e Partisë Demokratike. Edhe ky është një moment që ilustron vlerat tona, ndryshe nga çdo parti tjetër ne bëjmë debat, në bëjmë garë, ne bëjmë konkurrencë duke demonstruar se  vlerat tona janë dhe mbeten vlerat e demokracisë, vlerat e lirisë. Unë personalisht kam refuzuar të merrem me konkurrencën e brendshme. Se pavarësisht kësaj gare të brendshme, ne nuk do të harrojmë për asnjë çast, cili është kundërshtari i vërtetë dhe me kë e kemi betejën. Dhe ky është rrëzimi i Edi Ramës e i Tom Doshit e Rrahman Rrajës me shokë dhe përballja me këtë regjim do të kërkojë edhe njëherë që nga kjo  garë e brendshme të dalim pikë se pari si njerëz që i respektuam plotësisht vlerat brenda familjes tonë dhe së dyti dhe po më e rëndësishme se kjo, të bashkuar madje edhe më të bashkuar se ç’hymë në këtë garë”.

Kryetari i Partisë Demokratike e hedh poshtë bashkëpunimin me Ramën dhe fton të gjithë shqiptarët të bashkohen në betejën e pas 25 prillit.

“Kryetari i Partisë Demokratike nuk i njeh zgjedhjet e 25 prillit si legjitime dhe përfaqësuese të vullnetit të shqiptarëve. Kryetari i Partisë Demokratike e hedh poshtë me neveri bashkëpunimin me autorin e kësaj masakre dhe i ftoj të gjithë shqiptarët të na bashkohen në të vetmen rrugë që ka një shoqëri e civilizuar, e në veçanti një shoqëri që është nisur për në destinin Europian. Mos ta pranojmë rënien e demokracisë, mos ta pranojmë mbivendosjen e vullnetit të pakicës mbi pakicën mbi vullnetin e shumicës por të bëjmë me gjithë format dhe mënyrat betejën tonë deri në rikthimin e legjitimitetit, demokracisë dhe përmes tyre ndryshimit për Shqipërinë dhe shqiptarët”.

Ai i bëri thirrje demokratëve që në këtë garë të tregojnë vlerat e tyre dhe se janë në këmbë si e vetmja shpresë për demokracinë.

“Le ta bëjmë këtë garë, këtë proces, le ta kthejmë në testin e parë, në treguesin e parë ndaj demokratëve në radhë të parë dhe ndaj shqiptarëve, ndaj krutanëve dhe ndaj shqiptarëve se ne nuk jemi rrëzuar, se ne nuk jemi në gjunjë, se ne jemi në këmbë, se ne e dimë, jemi të vetëdijshëm për arritjet e 25 prilli pavarësisht prej masakrës zgjedhore dhe besimin e qytetarëve shqiptarë se jemi e vetmja forcë, e vetmja shpresë për demokracinë, por po kështu të tregojmë se jemi të gatshëm të korrigjojmë dhe rregullojmë gjithçka që është në dorën tonë. Kjo është vlera e kësaj gare”.

Duke akuzuar se listat për deputet në qarkun e Durrësit nuk i bën Partia Socialiste, por krimi i organizuar, Basha u bëri thirrje demokratëve të bashkohen në luftën kundër këtij regjimi.

“Siç e dimë të gjithë, siç dëshmojë ato pjesë të vogla, maja e ajsbergut të dosjes 339, pushteti nuk është as i socialistëve, as i qytetarëve, por është i kriminelëve. Është i një pakice që përdor paratë e pista, përdor dhunën, përdor shantazhin, përdor intimidimin për të marrë pushtetin dhe për ta ndarë qarkun e Durrësit, Fushë-Krujën dhe Krujën si të ishte plaçkë. Kjo nuk është demokraci. Kjo është një luftë totale e regjimit Rama-Doshi-Rrahja-Rakipi-Dako me shokë kundër demokracisë, kundër shqiptarëve, kundër njerëzve të lirë. Prandaj detyra jonë është të vazhdojmë qëndresën, detyra jonë është t’i prijmë me vlerat tona, me bashkimin tonë betejës për të rikthyer demokracinë në Shqipëri”.