Gjuetarë kafshësh të rralla dhe një ari që pi verë… Jeta në Alaskë në fillim të viteve 1900

Një grup fotografish të vjetra, të ngjyrosura së fundmi, tregojnë jetën në Alaskë në fillim të viteve 1900, gati 50 vite para se territori amerikan i blerë nga rusët të merrte statusin e shtetit, në vitin 1959.

Të realizuara nga eksploratori Frank Carpenter, fotografitë tregojnë gjuetarët që pozojnë para kafshëve të vrara, brirëve të mastodontëve, tashmë të zhdukur, dhe lëkurave të arinjve. Në foto të tjera tregohet edhe jeta në vendbanimet e para atje, ku shfaqen fëmijë duke luajtur, një vajzë që ushqen një ari të vogël me petulla, si edhe një zonjë që sheh e mahnitur sesi një tjetër ari shijon një shishe verë.

Me një sipërfaqe prej më shumë se 1,7 milionë kilometrash katrorë, Alaska është sot shteti më i madh në SHBA, dhe një pjesë e mirë e tij mbetet i pa eksploruar edhe sot. I pagëzuar si “kufiri i fundit” për shkak të tokës së madhe të pabanuar, në Alaskë gjenden 20 parqe kombëtare, 100 mijë akullnaja, 3 milionë liqene dhe ka më shumë vijë bregdetare sesa të gjitha shtetet e tjera amerikane të marra bashkë.

Vetëm 20% e Alaskës mund të përshkohet me rrugë edhe sot, për këtë arsye, mënyra më e mirë e transportit janë avionët e vegjël.

Banorë vendas indigjenë kanë jetuar aty për mijëra vite, por të parët që pretenduan pronësinë mbi territorin ishin rusët, në shekullin XVIII. Shtetet e Bashkuara ia blenë Rusisë territorin në vitin 1876 për 7,2 milionë dollarë. Vendimi quajt i gabuar në atë kohë, dhe për dhjetëra vite, amerikanët nuk u interesuan për territorin. Por pasi u zbulua një minierë ari në vitin 1896, Alaska u shndërrua në destinacionin e preferuar të aventurierëve. Pas zhvillimit që mori territori, më në fund, më 3 janar 1959, u bë zyrtarisht shteti i 49-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.