Kufiri detar me Greqinë, Dendias konfirmon atë që Xhaçka deklaroi në “Absolut 4”: Peticion i përbashkët në Hagë

107706 1100x620

Ministri i Jashtëm grek Nikos Dendias ka deklaruar se ekspertët e Greqisë dhe Shqipërisë po punojnë për hartimin e një drafti të përbashkët për t’u paraqitur në Hagë në lidhje me zgjidhjen e çështjes së kufirit detar mes dy vendeve.

“Shërbimet kompetente të Greqisë dhe Shqipërisë janë në konsultim të drejtpërdrejtë për hartimin e peticionit të përbashkët për t’iu drejtuar Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë”, deklaroi ministri i jashtëm grek në një intervistë për mediat vendase, sa i takon zgjidhjes së çështjes së kufirit detar.

Në të njëjtën linjë ishte edhe ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka, e cila dy ditë më parë deklaroi në A2 CNN se Shqipëria nuk është ende në fazën për të çuar dosjet në gjykatën e Hagës. Sipas saj grupet e ekspertëve të dy vendeve aktualisht po punojnë në përgatitjen e dosjes për të ngritur çështjen në bazë të kornizës ligjore.

“Marrëveshja për delimitimin e hapësirës detare Shqipëri-Greqi ra në mars 2010 kur Gjykata Kushtetuese mori vendim për ta bërë të pavlefshme dhe nga ai moment nuk ka pasur më as negociata e bisedime, por ka pasur vullnet politik, kur erdhi ministri i Jashtëm grek një vit më parë për ta çuar çështjen në Hagë. Në këtë fazë të dy grupet Greqia dhe Shqipëria dhe stafet teknike po përgatisin çështjet e tyre. Nuk jemi në fazën për të çuar dosjet në gjykatë, dhe sesi do të koordinohet bashkëpunimi për ato pika që duhet të çohen në gjykatë kjo do të duhet parë duke pasur parasysh edhe kornizën ligjore që dikton çuarja në gjykatë e kësaj dosje. Për momentin ekspertë po bëjnë punën e tyre për të ngritur çështjen, për të marrë të gjitha referencat ligjore për të ndërtuar një çështje që qëndron sa i takon interesit shtetëror”, deklaroi Xhaçka në Absolut 4.