Kushtetuesja rrëzon qeverinë, shfuqizon vendimin e shkarkimit të Zef Hilës si kryebashkiak i Vaut të Dejës

hila 1100x620

Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar vendimin e qeverisë për shkarkimin e kryetarit të Bashkisë së Vaut të Dejës, Zef Hila.

Në vendim thuhet se vendimi i Këshillit të Ministrave për shkarkimin nga detyra të kryetarit të Bashkisë së Vaut të Dejës, është i papajtueshëm me Kushtetutën.

“Kërkuesi nuk ka kryer asnjë veprim ose mosveprim të paligjshëm, i cili mund të konsiderohet “shkelje e rëndë”, faktet e paraqitura në vendim janë të natyrës penale, kërkuesi nuk është autor i tyre dhe nuk mund të ngarkohet me përgjegjësi kolektive për veprimet e kryera nga persona të tretë. Po ashtu, në vendimin e shkarkimit nuk është analizuar proporcionaliteti i shkeljeve në raport me masën e dhënë, gjë që bie në kundërshtim me nenin 17 të Kushtetutës, si dhe mungon arsyetimi i kritereve ligjore që përcakton ligji për masën e shkarkimit të kryetarit të bashkisë”. 

Sipas vendimit të publikuar nga Gjykata Kushtetuese thuhet se është shkelur e drejta e Zef Hilës për t’u njoftuar dhe për t’u dëgjuar.

“Nuk i është dhënë mundësia të dëgjohej e të paraqiste prova, si dhe nuk i është vënë në dispozicion asnjë akt. Këshilli i Ministrave ka vendosur me urgjencë në mbledhje të jashtëzakonshme për shkarkimin e  tij, në shkelje të ligjit nr. 9000, datë 30.01.2003 “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave” (ligji nr. 9000/2003) dhe Rregulloren e Këshillit të Ministrave (Rregullorja)”, thuhet në vendim.

Në vitin 2019 Zef Hila u shkarkua nga detyra e kryebashkiakut të Vaut të Dejës pas djegies së KZAZ-së në Bushat. Në atë kohë Hila foli për A2 CNN, duke reaguar në lidhje me vendimin. Ai u shpreh se ministri dhe kryeministri janë dezinformuar. Ai thotë se nuk ka marrë pjesë në protestë, ndërsa shton se do të presë organet e drejtësisë të shprehen.