Rikthimi i Vllaznisë së madhe

Përditësuar më: 5/6/2021, ora 15:04

Rikthimi i Vllaznisë së madhe

Përditësuar më: 5/6/2021, ora 15:04

Shpesh duhet të prekësh fundin për tu ngjitur sërish në majë. Ky rast është edhe i Vllaznisë që pas 13 vjetësh, u kthye tek një trofe, kaq shumë i munguar për qytetin e Shkodrës.

Grinta dhe dëshira e madhe për të vendosur një kurorë ishte më se e dallueshme në fytyrat e çdo lojtari, stafit, trajnerit e të çdo tifozi shkodran që mori rrugën drejt kryeqytetit, në momentin e vërshëllimës së fundit të finales.

Gëzimi për triumfin në Kupë ishte i jashtëzakonshëm, vetëm pak ditë pasi vetëm golavarazhi e ndau ekipin shkodran nga një sukses që do ishte edhe më i madh si ai i titullit kampion, dhe kjo ka një domethënie të madhe.

Kuqeblutë treguan karakter duke e kthyer dëshpërimin në forcë, e duke i dhuruar qytetit një tjetër trofe mjaft të rëndësishëm.

13 vitet e fundit të Vllaznisë kanë qenë të vështira. Fillimisht dalja nga gara për titull e deri te rënia nga Kategoria Superiore në vitin 2018, e cila shënon dhe periudhën më të errët të klubit. Pas sakrificës një vjeçare në nivele më inferiore, shkodranët gjetën forca për t’u ngritur edhe pse dy vite më vonë i rikthyen sërish makthet e rënies ndërsa luftonin për të mbijetuar së bashku me Besëlidhjen.

Trajneri Thomas Brdaric

Sezoni 2020-2021 shënoi një epokë të re për 9 herë kampionët e Shqipërisë. Revolucioni shkodran nisi prej me plan të mirëfilltë për sezonin. Vllanzia investoi në bordin drejtues dhe gjeti dy emra që rezultuan gjenial për të drejtuar ekipin.

Thomas Brdaric, ish-futbollisti kroat që ka veshur fanellën e përfaqësueses së Gjermanisë dhe Matko Djarmati, kroati tjetër, tepër i njohur për futbollin shqiptar patën kiminë e duhur për të formuar një skuadër të mbushur me element mjaft të mirë, me cilësi teknike të shkëlqyera dhe mbi të gjitha me një frymë unike grupi, e shfaqur përpara dhe pas çdo ndeshje të këtij sezoni, në fitore apo dhe në humbje.

Vllaznia ishte skuadra që kryesoi Kategorinë Superiore në pjesën më të madhe të tij,  skuadra që arriti numrin më të madh të fitoreve dhe që në fund nuk mundi të ngrinte titullin për shkak se Teuta e Durrësit ja rrëmbeu për vetëm 4 gola më shumë.

Nga ana tjetër në Kupë, kuqeblutë u shpallën kampion duke mos pësuar as edhe një gol të vetëm në 5 takime. Vllaznia e madhe duket se është rikthyer e së bashku me të, nis njëkohësisht edhe misioni më i vështirë, ai i të qëndruarit në këto nivele.

Skuadra ka garanci, të paktën në aspektin financiar, në duart e sponsorit Alban Xhaferri ndërsa pret edhe privatizimin 100% të klubit. Hapi i radhës është përfaqësimi dinjitoz në arenën ndërkombëtare dhe pse jo kalimi i tureve në Kupat e Evropës.