Vijon “lufta” e Twitter me pushtetin, vendi me 200 milionë banorë e pezullon pas censurës së presidentit

Nigeria ka pezulluar “në mënyrë të papërcaktuar” përdorimin e Twitter në të gjithë territorin, duke krijuar një precedent domethënës në marrëdhënien midis pushtetit dhe rrjeteve sociale.

Vendi më i populluar në Afrikë dhe i shtati më i populluar në botë, me më shumë se 211 milionë banorë, nuk do të mund të përdorë më platformën amerikane për shkak të censurës të saj ndaj një postimi të presidentit të republikës, Muhammadu Buhari.

Duke iu referuar disa trazirave të ndodhura në jugun e vendit, që po sjellin sulem të përditshme kryesisht drejt infrastrukturës, presidenti i kujtoi ditët e luftës civile nigeriane, që shkaktoi në vitet ’60 pothuajse 3 milionë të vdekur.  

“Shumë nga ata që po veprojnë në mënyrë të gabuar janë shumë të rinj për të kujtuar  shkatërrimin dhe humbjet e jetës në Luftën Civile. Por ne që e kemi kaluar, do t’i përgjigjemi këtyre në një gjuhë që ata e kuptojnë mirë”, ishte mesazhi i presidentit, që u cilësua si kërcënues dhe i papërshtatshëm nga platforma Twitter, duke u bazuar në shumë sinjalizime.  

Sipas qeverisë nigeriane, censura e statusit presidenciale rrezikon vetë “ekzistencën e Nigerisë si një e tërë”, nga momenti që vendi përbëhet nga 36 shtete të federuara, me jo pak probleme mes tyre, klanore dhe fetare dhe ekonomike.

Nuk është hera e parë që Twitter hyn në kontrast me pushtetin. Rasti më i njohur është ai me ish-presidentin e Shteteve të Bashkuara Donald Trump, profili i të cilit u fshi.