Harry dhe Meghan, prindër për herë të dytë, vjen në jetë një vajzë

Duka dhe Dukesha e Sussex, princi Harry dhe Meghan Markle, janë bërë prindër të një vajze, e cila është fëmija i dytë i tyre.

BBC shkruan se vajza, e cila do të mbaje emrin Lilibet “Lili” Diana Mountbatten-Windsor, lindi të premten në orën 11:40 në një spital në Santa Barbara, Kaliforni. Në deklaratën e çiftit theksohet se nëna dhe vajza gëzojnë shëndet të plotë.

Në deklaratë u zbulua se emri Lili u vendos në nder të mbretëreshës, pasi familjarët i thërrisnin me përkëdheli Lilibet. Emri i saj i mesëm është Diana, për të nderuar kujtimin e gjyshes së ndjerë, Lady Diana. Ata janë prindër edhe të Archie-t, i cili erdhi në jetë në maj të vitit 2019.

Pak kohë më parë, një burim tha për “Page Six” se vajza nuk do të mbante emrin e gjyshes së saj, Diana, pasi sipas burimit, “nëse do ta bënin këtë, shqetësimi më i madh është se media do ta targetojë dhe do të merret me të gjithë kohës. Ai emër do të rriste interesin e publikut për vogëlushen”. Megjithatë, ky pretendim nuk rezultoi I vërtetë.