Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 50%
  • Qendrat historike 0%

Java “e nxehtë” e politikës, Kuvendi vendos fatin e presidentit, PS e PD bëjnë llogaritë paszgjedhore

Nga A2 CNN
6 Qershor 2021, 13:19 | Politikë
Java “e nxehtë” e politikës, Kuvendi vendos fatin e

Muaji qershor nuk ka rritur vetëm temperaturën e ajrit, kjo javë pritet të jetë mjaft e nxehtë edhe për politikën shqiptare.

Të mërkurën, në 9 qershor është paralajmëruar seanca ku do të shqyrtohet raporti i Komisionit Hetimor për shkarkimin e Presidentit të Republikës me argumentimin se ka shkelur rëndë Kushtetutën. Për të larguar nga detyra Kreun e Shtetit, parlamenti duhet të votojë me 94 vota pro, por vendimin e fundit e jep Gjykata Kushtetuese që do vulosë shkarkimin ose jo të presidentit.

Mazhoranca socialiste si iniciuese e kësaj nisme ka preferuar të heshtë. Përtej argumenteve në seancë pritja me heshtje duket se do zgjasë përtej 9 qershorit.

“Nuk do të bëj asnjë koment lidhur më këtë çështje deri në momentin që do të shprehet Gjykata Kushtetuese sepse është një institucion i pavarur”, tha më herët Taulant Balla.

Presidenti është shfaqur i pa shqetësuar për nismën për shkarkimin e tij. Pasi injoroi Komisionin Hetimor, duke e cilësuar si jolegjim, Ilir Meta duket i bindur që do qëndrojë në zyrën e presidentit deri në 22 korrikun e viti që vjen, kur dhe i përfundon mandati kushtetues në krye të shtetit.

“Tema e shkarkimit është nul aq më tepër pas 25 prillit dhe ku u tregua qartë se kuvendi i 2 viteve të fundit ishte një kuvend pa opozitë  dhe sot është për fat të keq edhe 3 herë më antikushtetues”, do të shprehej disa ditë më parë presidenti.

Tre ditë pas seancës për shkarkimin e Ilir Metës, në datën 12 qershor Partia Socialiste, në 30-vjetorin e saj mbledh Kongresin ku do të bëhet një analizë e zgjedhjeve të 25 prillit. Takimi që u pri nga Asambleja, ndërsa priten ndryshime në strukturat vendore, ende nuk ka një sinjal se kur do të rinovohet Kryesia e forcës që u konfirmua në pushtet për një mandat të tretë.

Në kahun tjetër, në Selinë Blu, analizën e humbjes se 25 prillit e kanë lënë pas zgjedhjeve për kryetarin. Me 13 qershor anëtarësia iu drejtohet kutive të votimit për të zgjedhur mes katër kandidatëve për kryetar, në një fletë votimi ku shorti rendit Fatbardh Kadillin, Edit Harxhin, Agron Shehajn dhe kryetarin në detyrë Lulzim Basha.

Tre të parët kanë si pikë të përbashkët të platformave të tyre sanksionimin në statut të dorëheqjes së kryetarit që humbet zgjedhjet, ndërsa Basha është i përqendruar tek argumentimi se në zgjedhje demokratët u konfirmuan më të bashkuar, por humbja ndodhi për shkak të asaj që e quan masakër zgjedhore.

A2 CNN Livestream

Dita jonë