Krim në familje në Shkodër, vëllai ekzekuton me armë motrën

Përditësuar më: 7/6/2021, ora 10:16

Krim në familje në Shkodër, vëllai ekzekuton me armë motrën

Përditësuar më: 7/6/2021, ora 10:16

Krimi në familje ka tronditur mbrëmjen e së dielës qytetin e Shkodrës. Në lagjen “Ndoc Mazi” të këtij qyteti është gjetur e vrarë brenda në dhomën e saj shtetasja Diana Vukaj, 58 vjeç.

Për këtë vrasje, policia ka arrestuar si autorin e dyshuar vëllain e viktimës, Fabion Vukaj, 55 vjeç. Ngjarja e rëndë dyshohet se është kryer nën efektin e alkoolit, ndërsa zënkat mes vëllait e motrës kishin qenë të vazhdueshme.

Nga kqyrja e trupit të viktimës, policia dyshon se ngjarja mund të ketë ndodhur që të premten e kaluar. Nga hetimet e deritanishme, policia ka zbuluar se viktima kishte rreth një javë që kishte ardhur nga Gjermania, ku ajo ishte emigrante.

Persona që njohin vëlla e motër shprehen se autori i dyshuar i krimit, i cili jetonte i vetëm, ndihmohej herë pas here nga e motra që i dërgonte euro nga Gjermania. Dhe pikërisht zënkat sa i takon gjendjes ekonomike të autorit të dyshuar dhe kërkesat e tij për të, dyshohen të kenë qenë shkak i debatit, i cili me sa duket çoi deri në vrasjen e 58-vjeçares.

Ndonëse kjo ngjarje duket e zbardhur, grupi i hetimit po vijon verifikimet për përcaktimin e saktë të rrethanave dhe motiveve të ngjarjes.