Pas fitores së pastër ndaj Andorrës, Broja largohet nga Shpresat, nisin përgatitjet për Bullgarinë

armando broja 1100x620

Kombëtarja shqiptare e 21-vjeçarëve, e drejtuar nga trajneri Alban Bushi, pasi përmbylli me sukses ndeshjen e parë eliminatore për Kampionatin Europian 2023 ndaj Andorrës në transfertë, me fitoren 3-0, ka filluar përgatitjet për ndeshjen miqësore me Bullgarinë e cila do të luhet në Slavia Stadium të Sofies, më datë 8 qershor, duke filluar nga ora 18:30.

Paraditen e sotme kuqezinjtë kanë zhvilluar seancën e parë stërvitore në qendrën e ekipeve kombëtare bullgare. Nën urdhrat e trajnerit Bushi për këtë ndeshje miqësore nuk do të jenë Armando Broja, Armando Dobra, Marko Molla dhe Mario Mitaj që janë larguar pranë klubeve të tyre, por janë shtuar Arlis Shala dhe Eldis Kraja. Seanca e dytë stërvitore pasdite ka qenë e fokusuar te loja me topin dhe harmozimin e veprimeve sulmuese.

Gjendja e skuadrës paraqitet e mirë dhe nuk ka probleme dëmtimesh, ndërkohë që duhet të nënvizojmë faktin se ky test do t’i shërbejë Alban Bushit për të parë në aksion të gjithë elementët e grumbulluar, për të pasur një ide më të qartë mbi lojtarët që do të ketë në vazhdim të rrugëtimit eliminator.

Shqipëria U-21 do të rikthehet në fazën eliminatore të Kampionatit Europian 2023 në muajin shtator ku do të luajnë një ndeshje në transfertë ndaj Republikës Çeke në 6 shtator, ndërkohë që në 7 dhe 11 tetor do të presin në shtëpi Andorran dhe Slloveninë.

Andorra-Shqipëri 0-3