“Absolut 4”: Krim pa ndëshkim

Kasapi në Absolut 4: Krimi i organizuar po tregon supremacinë ndaj policisë

Gazetari i A2, Julian Kasapi ishte i ftuar në emisionin Absolut 4 ku u diskutua rreth ngjarjeve të fundit kriminale që kanë tronditur opinionin publik.

Kasapi u ndal në mënyrë më të detajuar për vrasjet në qytetin e Vlorës, të cilat sipas tij janë tipike mafioze. Ai shtoi se këto ngjarje kaq të rënda tregojnë se krimi i organizuar tashmë është më superior ndaj policisë së shtetit.

“Vrasjet e pazbardhura janë problemi kryesor i policisë. Krimi i organizuar ka nisur të tregojë supremacinë e tij. I bën karshillëk policisë duke treguar forcën. Madje në qytetin e Vlorë, ku ngjarjet janë shumë të rëndë, tregojnë se krimi i organizuar ka marrë pushtetin ndaj policisë. Në të tilla ngjarje si vrasja e Birçajt dhe plagosja e Begajt së fundmi nga një person i veshur me uniformë policie tregojnë se krimi i organizuar është shumë i sofistikuar ku nuk mbeten më automjetet e djegura, ku digjen provat.

Nga këto ngjarje, policia nuk ka as persona të dyshuar, as prova në vendngjarje. Më shqetësues është fakti që në Shqipëria ka persona apo grupe që paguajnë persona të tillë që bëjnë vrasje të tilla. Kemi pushkatime në mes të ditës siç ishte ai i Vlorës që tregojnë se sa pak e sigurt është jeta e qytetarëve”, tha Kasapi.

“Të shfokusuar nga misioni kryesor”, Çela: Kemi një polici të keqdrejtuar

Për gazetaren Lindita Çela, situata e rëndë e kriminalitetit në vend vjen dhe si pasojë e keqdrejtimit të Policisë së Shtetit.

Gazetarja Çela përmendi disa raste që sipas saj e kanë shfokusuar misionin kryesor të policisë, duke i trajtuar efektivët si kositës hashashi apo prerës të lidhjeve të paligjshme të energjisë.

“Para se të ngremë gishtin te policia, sigurisht që mund të themi të gjitha gjërat e zeza të policisë, sepse një ndër punët kryesore të saj është parandalimi dhe më pas hetimi. Një nga detyra është prapë të policisë është të sigurojë prova që dosja të shkojë në gjykatë e argumentuar dhe me prova. Më shumë se një polici të paaftë ne kemi një polici të keqdrejtuar.

Pashë zv/ministrin në Velipojë për shembjet e ndërtimeve. Ligji i policisë në aksionin e IKMT duhet të jetë vetëm mbështetës. Në 5-vjeçarin e fundit kemi pasur një polici shteti që u kthye në kositës. Kemi pasur efektivë që ndiqnin lidhjet e paligjshme të energjisë. Policia ka qenë e shfokusuar nga misioni kryesor”, tha Lindita Çela.

Bajrami në “Absolut 4”: Kanabizimi i vendit uli besimin e qytetarëve te policia e shtetit

Gazetari i A2, Armand Bajrami ishte i ftuar në emisionin Absolut 4 ku pohoi se besimi i publikut te policia e shtetit ka rënë ndjeshëm, kryesisht prej përfshirjes së saj në kanabizimin e vendit.

Bajrami u shpreh se kjo ka sjellë ulje të denoncimeve pasi qytetarët i druhen policisë.

“Me situatën aktuale, në bindjen time një nga problematikat më kryesore, më të prekshme është një pasojë direkte e kanabizimit të vendit. Për shkak se kanabizimi i vendit solli një përfshirje shumë të lartë të policisë së shtetit në të gjithë procesin e kanabizmit të vendit. Kur them përfshirje e policisë, përfshirje përmes korruptimit, ku përveç drejtuesve që merrnin ato haraçet e veta nga kultivuesit ose trafikantët. Këto haraçe në propocion të drejtë, sa më e ulët grada aq më i ulët haraçi. Gjithsesi ishim të bënim me një polic të korruptuar.

Kjo në bindjen time e ka ulur në minimum besimin e publikut te policia e shtetit. Nuk po flas vetëm për rrjet informatorësh, por po flasim dhe për qytetarë që do kishin dëshirën e mirë për të denoncuar një ngjarja kriminale, duke iu ndruajtur kësaj policie. Nuk flas për gjithë policinë, por për ata elementë, jo të vegjël. Kjo e ka dëmtuar së tepërmi policinë dhe besimin e publikut te policia. Për të bërë një qasje tjetër nga raporti i prokurorisë. Në vitet e fundit, kishte ulje të ndjeshme të numrit të kallëzimeve në prokurori. Nuk kam statistika të sakta po përderisa ka rënë numri i kallëzimeve në prokurori nuk besoj se është shtuar në polici.”, u shpreh Bajrami.

“Në Vlorë, krimit të ndjek deri në katin e pestë”, Kasapi: Policia ka nevojë për investime, të shtohen kamerat e sigurisë

Gazetari Julian Kasapi u shpreh në emisionin Absolut 4 në A2 se Policia e Shtetit ka nevojë për investime dhe infrastrukturë për t’u përballur me krimin e organizuar duke qenë se ai ka përparuar shumë kohët e fundit.

Kasapi hodhi idenë që të paktën në qytetet kryesore të Shqipërisë të shtohen kamerat e sigurisë për të ndihmuar në zbardhjen e ngjarjeve të rënda.

“Unë mendoj se policia ka nevojë për investime, infrastrukturë, për pajisje shtesë sepse po shohim që krimi po evoluon. U përmend gjithashtu dhe çështja e kamerave të sigurisë. Ju e keni vënë re që në Tiranë përgjithësisht ngjarjet e rënda janë zbardhur dhe një rol kanë luajtur dhe kamerat e sigurisë. Mendoj se kjo çështje duhet të rikthehet në vëmendje në qytetet e mëdha siç është Vlora, Elbasani, Durrësi. Madje në Vlorë në krimi ka filluar të ndjekë deri në katin e pestë siç ishte rasti i Shkëlzen Velaj dhe më pas e djeg dhe automjetin në rrugë interurbane kryesore”, tha Kasapi.

“Zëvendësdrejtorët e policisë emërohen nga grupet kriminale”, akuza e fortë e Vezajt: I gjithë sistemi ka dështuar

Gazetari Flamur Vezaj, i cili jeton në SHBA, foli në Absolut 4 për situatën e krimit në Shqipëri, nga ku u shpreh se mungesa e zbulueshmërisë ka ndikuar në shtimin e krimit. Për të, i gjithë sistemi ka dështuar.

“Parandalimi ka dështuar nga Policia e Shtetit, i gjithë sistemi ka dështuar. Vrasjet janë të llojeve të ndryshme dhe gjithçka vjen nga mungesa e ndëshkueshmërisë. Ajo që është më e rëndë ka të bëjë me vrasjet në familje me çështje të hapura penale. Për këtë fakt them se pasoja që e sjell të gjithë këtë është mungesa e zbulueshmërisë. Oficerët gjyqësorë kanë qenë gjithmonë problematik”, u shpreh Vezaj.

Më tej, ai ngriti edhe akuza të forta duke u shprehur se drejtues të policisë në qarqe emërohen nga grupe kriminale. “Fryma politike që përçohet është shumë e rëndësishme. Në vitin 2005-2006 kishte vullnet, ku shumë prej bandave përfunduan pas hekurave. Tani kryeministri thotë “hëngshin kokat e tyre”. Çfarë mund të presim? Nuk duhet të harrojmë edhe një gjë, politika është përzierë shpesh, sidomos para zgjedhjeve me grupe të caktuara kriminale të cilave u ofrohen favore për të siguruar vota. Kjo tregon se grupe të caktuara kriminale nuk e kanë më frikë policinë e shtetit, pasi kanë njëfarë mburoje politike nga individë të caktuar. Shumica e zëvendësdrejtorëve të drejtorive të qarqeve emërohen nga grupe kriminale që kanë ndihmuar politikën në zgjedhje”, u shpreh Vezaj.

Krimi në familje, Çepani: Shëndeti mendor këmbanë alarmi, një nga shkaqet kryesore

Edlira Çepani nga rrjeti “Barazia në Vendimmarrje” deklaroi në Absolut 4 se shëndeti mendor është një këmbanë alarmi që çon drejt krimeve në familje.

Sipas Çepanit, shëndeti mendor është një koncept që nuk diskutohet ende në shoqërinë shqiptare, por mbetet një nga shkaqet kryesore pse ndodhin këto ngjarje.

“Ne e kemi ngritur si këmbanë alarmi, tregon që jemi një shoqëri në krizë, një shoqëri që ka shumë probleme me familjen, të cilat ashtu si ai vullkani që zien për shumë dhe në një moment shpërthen. Janë në një moment kur të gjitha këto problematika, që i kemi lënë pas dore,në krahasim me krimet e tjera. Kemi shumë kohë që themi se duhet të merren masa për parandalimin, për trajtimin serioz dhe për sanksionimin. Tre janë këto shtylla të rëndësishme që duhet të merren në mënyrë serioze nga të gjitha institucionet dhe shoqëria.

Ajo që ne po kuptojmë gjatë kësaj kohe është dhe këmbana tjetër e alarmit, që ka lidhje me shëndetin mendor. Shëndeti emndor nuk është ai që ne e përceptojmë si persona që kanë nevojë të shkojnë në institucione dhe të kurohen. Shëndeti mendor prek në të gjitha situatat në shoqëri, mënyrën si ne reagojmë ndaj tyre. Është një koncept që nuk e diskutojmë në shoqërinë shqiptare por është një nga shkaqet kryesore pse këto ngjarje ndodhin.”, u shpreh Çepani.