Banorët u përplasën me forcat e rendit, avokati: Drejtuesit e policisë së Beratit, të lidhur me fisin Çapja

Banorët e fshatit Lumas në Kuçovë u përplasën të hënën me policinë dhe shkak u bë projekti për ujësjellësin, pasi banorët kundërshtojnë shfrytëzimin e ujit të burimit të Sinecit.

Avokati i banorëve, Arben Llangozi, në një deklaratë për mediat bëri të ditur se banorët janë dhunuar nga policia, që sipas tij është e inkriminuar. Ai ngriti akuza të forta për drejtuesit e policisë së Beratit, duke thënë se janë të lidhur me fisin Çapja në Elbasan.

“Ne i jemi drejtuar Gjykatës Administrative, Vlorë. Është depozituar padia prej dy javësh, por nuk ka pasur asnjë lëvizje nga gjykata, pasi aty janë vetëm 2 gjyqtarë dhe ka rreth 5 qytete që gjykon . Rasti konkret nuk ka ndonjë datë konkrete.

Këto banorë janë dhunuar ditën e sotme nga një bandë kriminelësh që është policia e shtetit me në krye kriminel, i cili është drejtori i policisë i policisë së Beratit. Ai është denoncuar në media të ndryshme dhe unë e denoncoi publikisht që është i lidhur me krimin e organizuar dhe me fisin Çapja në Elbasan ka krushqi. Ka mbuluar me qindra vrasje të bëra në këtë qytet dhe tashmë vë dorë mbi këta persona. Dua të denoncoj se shefi i Komisariatit Kuçovë është trafikant kokaine”, u shpreh avokati Arben Llangozi.