Dëbohen ambulantët nga plazhi në Durrës, protestojnë para bashkisë

Dhjetëra tregtarë ambulantë që shesin përgjatë 42 kilometrave të vijës bregdetare të Durrësit kanë protestuar përpara bashkisë së këtij qyteti, pasi policia bashkiake nuk i ka lejuar të vijojnë me shitjet e tyre.

Ndonëse e pranojnë se janë të padeklaruar, tregtarët ambulantë ankohen se dy muajt e verës janë e vetmja e ardhur për familjet e tyre.

Ata janë dakord edhe të paguajnë taksa, por vetëm të lejohen të punojnë.

Ndërkohë, një përfaqësi e tyre që pati takim me zyrtarë të bashkisë u shprehën se brenda kësaj jave bashkia u ka premtuar se do t’u propozojë një zgjidhje.