Kasapi në Absolut 4: Krimi i organizuar po tregon supremacinë ndaj policisë

Gazetari i A2, Julian Kasapi ishte i ftuar në emisionin Absolut 4 ku u diskutua rreth ngjarjeve të fundit kriminale që kanë tronditur opinionin publik.

Kasapi u ndal në mënyrë më të detajuar për vrasjet në qytetin e Vlorës, të cilat sipas tij janë tipike mafioze. Ai shtoi se këto ngjarje kaq të rënda tregojnë se krimi i organizuar tashmë është më superior ndaj policisë së shtetit.

“Vrasjet e pazbardhura janë problemi kryesor i policisë. Krimi i organizuar ka nisur të tregojë supremacinë e tij. I bën karshillëk policisë duke treguar forcën. Madje në qytetin e Vlorë, ku ngjarjet janë shumë të rëndë, tregojnë se krimi i organizuar ka marrë pushtetin ndaj policisë. Në të tilla ngjarje si vrasja e Birçajt dhe plagosja e Begajt së fundmi nga një person i veshur me uniformë policie tregojnë se krimi i organizuar është shumë i sofistikuar ku nuk mbeten më automjetet e djegura, ku digjen provat.

Nga këto ngjarje, policia nuk ka as persona të dyshuar, as prova në vendngjarje. Më shqetësues është fakti që në Shqipëria ka persona apo grupe që paguajnë persona të tillë që bëjnë vrasje të tilla. Kemi pushkatime në mes të ditës siç ishte ai i Vlorës që tregojnë se sa pak e sigurt është jeta e qytetarëve”, tha Kasapi.