Konjufca në Tiranë: Bashkëpunimi mes dy vendeve të ngrihet në konstituimin e të njëjtit komb

“Bashkëpunimi mes dy vendeve duhet të ngrihet në atë të konstituimit të të njëjtit komb, pra një komb të vetëm”. Kështu u shpreh kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca, në vizitën e parë në Shqipëri, gjatë një konference të përbashkët me homologun shqiptar, Gramoz Ruçi.

“Në shtetin tonë ekziston një traditë e mirë që vizita e parë e parlamentit të Kosovës bëhet në Republikën e Shqipërisë dhe ne po e vazhdojmë këtë traditë të mirë të shtetit tonë. Ne kemi interesa të përbashkëta dhe të njëjta meqenëse jemi një komb. Dhe të tillë duhet të kemi artikulimin e interesave tona të përbashkëta. Falënderoj institucionet shqiptare që dhanë një kontribut në përballje të pandemisë Covid. Thellim i bashkëpunimit në disa fusha si atë të ekonomisë dhe fusha të tjera.”

Ndërsa kërkoi mbështetjen e Shqipërisë në procesin përfundimtar të dialogut me Serbinë, Konjufca theksoi se sfidë për Kosovën është të mos lejojë krijimin e një etniteti serb në territorin e saj që të kontrollohet nga Beogradi.

“Trajtuam dhe sfidat që vendin tonë e presin, do të përballemi në dialog të vështirë me Serbinë, meqenëse faktorët ndërkombëtarë që e udhëheqin e kanë përcaktuar si faza përfundimtare që duhet të marrë formën e një marrëveshjeje finale. Na duhet një koordinim i thellë e i ngushtë me Republikën e Shqipërisë që Kosova të mos dëmtohet nga një marrëveshje e tillë. Dhe për Kosovën do të ishte krijimi i çfarëdo etniteti territorial serb brenda territorit të Kosovës që të kontrollohet nga Beogradi. Kjo nuk duhet të ndodhë dhe na duhet koordinim i ngushtë me Shqipërinë”.

Nga ana e tij, kreu i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, u shpreh se e rëndësishme për Kosovën është që të ruajë avantazhin e saj në negociata me Serbinë.

“Për ne është premtues fakti që si BE-ja e SHBA-ja nuk kanë dallim qëndrimesh për dialogun këtë e dëshmoi dhe vizitat e Palmer e Lajcak. Për ne është e rëndësishme që Kosova të ruajë avantazhin e saj në negociatat me Serbinë. I ka të gjitha arsyet e mundësitë që të jetë partner më i besueshëm se Serbia. Të gjithë ne duhet të kuptojmë që me SHBA-në e BE-në gjithçka është e mundur për Kosovën. Pa ta është e rrezikshme për Kosovën. Vizioni i SHBA-së e BE-së është e vetmja perspektivë në Kosovë”.

Një tjetër çështje për të cilën Kosova kërkon mbështetjen e Shqipërisë është edhe procesi i ngritur në Hagë nga ish-luftëtarëve të UÇK-së. Konjufca kërkoi në këtë pikë bashkërendimin e veprimeve dhe trajtimin e luftës së UÇK-së jo si luftë të Kosovës, por mbarë kombit shqiptar.

“Po përballemi me proces të vështirë në Hagë, ku ish-drejtues të UÇK-së po gjykohen në Hagë edhe në këtë dimension të bashkërendojmë veprimet tona me shtetin shqiptar që ta kalojmë me dëme të vogla këtë sfidë. Lufta e UÇK-së nuk ka qenë vetëm e Kosovës, por e gjithë kombit shqiptar dhe si e tillë duhet të trajtohet e mbrohet”.

Edhe në këtë pikë Ruçi vlerësoi gatishmërinë e drejtuesve të UÇK-së për t’u përballur me drejtësinë në Hagë, si edhe vlerësoi unitetin kosovar në këtë çështje. Sipas tij, Kosova është në anën e duhur të historisë.

“Shqipëria vlerëson qëndrimin e ish-drejtuesve të UÇK-së dhe gatishmërinë e tyre për t’i dalë përballë drejtësisë. Vlerësojmë qëndrimin e presidentes së Kosovës dhe qeverisë për unitetin dhe nevojën për një qëndrim të unifikuar me Serbinë. Është Serbia ajo që ka kryer krime kundër njerëzimit, që ka fshehur kriminelë në kërkim. Kosova është në anën e duhur të historisë”, theksoi Ruçi.

Në fund të fjalës së tij, kryeparlamentari i Kosovës ftoi homologun shqiptar të vizitojë Prishtinën.