PD kërkon përjashtimin e 7 gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor që refuzuan 3 ankimimet e deritanishme për zgjedhjet

Partia Demokratike kërkon përjashtimin e 7 prej 8 gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor, që kanë rrëzuar paditë për Gjirokastrën, Vlorën dhe Beratin.

“Me vendimet e dhëna deri tani, këta gjyqtarë, njësoj si komisionerët politikë të KAS, refuzojnë transparencën mbi masakrën zgjedhore të 25 prillit. Refuzimi i kërkesave të PD-së për marrjen zyrtarisht të provave i vendos këta gjyqtarë në pamundësi për të gjykuar me paanësi 6 kërkesat e tjera të ngjashme të PD-së për blerjen e votës dhe deformimin e rezultatit të zgjedhjeve përmes përdorimit të shtetit në funksion të PS-së”, thotë PD-ja në një njoftim për mediat.

Në kërkesën për zëvendësimin e 7 gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor, PD argumenton se duke qenë se këta gjyqtarë e kanë shprehur tashmë mendimin e tyre kundër kërkesave të PD-së për zgjedhjet, ata do të vazhdojnë me të njëjtin qëndrim.

“Kjo bën që vendimet e tyre për 6 paditë e tjera të PD-së të jenë të paracaktuara, në shkelje të Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor për një proces të paanshëm. PD vlerëson se vazhdimi i ankimimeve me të njëjtën trupë zgjedhore, e cila është shprehur 3 herë me radhë kundër kërkesës së PD-së për transparencën e zgjedhjeve, është në shkelje të parimeve themelore të Gjykatës së Strasburgut për dhënien e drejtësisë”, thotë PD.