Rritet besimi në ekonomi, bizneset dhe konsumatorët, optimistë për rimëkëmbjen

Kriza ekonomike që shoqëroi pandeminë mund të mos ketë përfunduar ende, por bizneset dhe qytetarët janë besimplotë për një kthim të shpejtë në normalitet. Treguesi i Ndjesisë Ekonomike regjistroi në fund të muajit Maj nivelin më të lartë që prej Prillit 2019, më lartë edhe se mesatarja historike që mat Banka e Shqipërisë.

Për të gjashtin muaj radhazi, sipërmarrjet në degët kryesore të ekonomisë kanë rritur pritshmëritë për ecurinë e aktivitetit të tyre, për të mbërritur në 103.99 pikë në përditësimin e fundit.

Rritjen më të fortë të besimit e regjistroi tregtia, me pritshmëri më optimiste si për shitjet, ashtu edhe për punësimin dhe porositë e reja. Shumë më optimistë paraqiten edhe bizneset në degën e shërbimeve, sektori i goditur më fortë nga pandemia.

Industria nga ana tjetër pati një përmirësim të lehtë, ndërsa besimi në ndërtim ra lehtë. Megjithëse diçka e pritshme për shkak se prej muajsh qëndronte në nivelin më të lartë historik, si rrjedhojë e bumit të ndërtimeve dhe programit të rindërtimit pas tërmetit.

Sa i takon konsumatorëve, ingranazhit kryesor që lëviz ekonominë shqiptare, konsensusi është se do të bëhet më mirë. Por një pjesë e madhe e qytetarëve mbeten ende në pritje, përpara se të nisin të bëjnë blerje të mëdha.

Të dhënat e INSTAT për inflacionin sugjerojnë se gjatë vitit të kaluar, qytetarët kanë shmangur shpenzimet për gjithçka tjetër që nuk hyn në nevojat bazike. Rimëkëmbja e konsumit në prag të sezonit veror, do të nënkuptonte një frymëmarrje për të gjithë zinxhirin ekonomik.