Spanja rihap turizmin, lejohet hyrja e të vaksinuarve nga e gjithë bota

Magneti i turistëve, Spanja, hapi dyert për qytetarët e vaksinuar nga e gjithë bota këtë të hënë, me shpresën e rimëkëmbjes së sektorit jetësor të turizmit, i goditur fort nga pandemia. Hyrja në vend, do të lejohet për të gjithë udhëtarët e vaksinuar, pavarësisht vendit të tyre të origjinës, përfshirë Shtetet e Bashkuara.

Megjithatë, paraditen e së hënës qarkullimi në aeroportin Adolfo Suares, ishte i ulët krahasuar me fluksin e pandalshëm të turistëve në përiudhën para pandemisë.

“Kontrollet me formularin që kemi plotësuar online ishin shumë të shpejta. Nese e ke plotësuar mirë, ke vaksinë ose test pcr nuk duhet të kesh probleme.”, u shpreh njw turiste nga Izraeli.

Vendi i dytë më I vizituar në botë para se Covid-19 të pushtonte botën, Spanja përjetoi tkurrje dramatike prej 80% të turizmit vitin e kaluar, ndërsa kufizimet lanë plazhet, hotelet dhe resortet gati të shkretuara.

Me mbi 78 mijë viktima dhe 3.6 milionë infektime, Spanja është mes vendeve më të prekura nga koronavirusi në Europë. Por niveli I infektimit ka rënë ndjeshëm dhe vaksinimi po ecën shpejt, duke lejuar shumicën e rajoneve të heqin shtetrrethimet.