“Zëvendësdrejtorët e policisë emërohen nga grupet kriminale”, akuza e fortë e Vezajt: I gjithë sistemi ka dështuar

Gazetari Flamur Vezaj, i cili jeton në SHBA, foli në Absolut 4 për situatën e krimit në Shqipëri, nga ku u shpreh se mungesa e zbulueshmërisë ka ndikuar në shtimin e krimit. Për të, i gjithë sistemi ka dështuar.

“Parandalimi ka dështuar nga Policia e Shtetit, i gjithë sistemi ka dështuar. Vrasjet janë të llojeve të ndryshme dhe gjithçka vjen nga mungesa e ndëshkueshmërisë. Ajo që është më e rëndë ka të bëjë me vrasjet në familje me çështje të hapura penale. Për këtë fakt them se pasoja që e sjell të gjithë këtë është mungesa e zbulueshmërisë. Oficerët gjyqësorë kanë qenë gjithmonë problematik”, u shpreh Vezaj.

Më tej, ai ngriti edhe akuza të forta duke u shprehur se drejtues të policisë në qarqe emërohen nga grupe kriminale. “Fryma politike që përçohet është shumë e rëndësishme. Në vitin 2005-2006 kishte vullnet, ku shumë prej bandave përfunduan pas hekurave. Tani kryeministri thotë “hëngshin kokat e tyre”. Çfarë mund të presim? Nuk duhet të harrojmë edhe një gjë, politika është përzierë shpesh, sidomos para zgjedhjeve me grupe të caktuara kriminale të cilave u ofrohen favore për të siguruar vota. Kjo tregon se grupe të caktuara kriminale nuk e kanë më frikë policinë e shtetit, pasi kanë njëfarë mburoje politike nga individë të caktuar. Shumica e zëvendësdrejtorëve të drejtorive të qarqeve emërohen nga grupe kriminale që kanë ndihmuar politikën në zgjedhje”, u shpreh Vezaj.