Gjermania përplaset me Hungarinë, Maas: Të hiqet e drejta e vetos, pengon politikën e jashtme

MAAS VETOJA BE frame 1118 1100x620

Politika e jashtme përplas Gjermaninë dhe Hungarinë. Shefi i diplomacisë së Berlinit, Heiko Maas, kërkoi që Bashkimi Europian të heqë të drejtën e vetos, pasi Budapesti ka penguar në disa raste veprimin mbi çështje të caktuara.

Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas, i kërkoi të hënën Bashkimit Europian të heqë të drejtën e vetos së shteteve individuale ndaj politikave të jashtme.

“Nuk mund t’i lejojmë vetes të mbahemi peng nga njerëz që pengojnë politikën e jashtme europiane me vetot e tyre”.

Komentet e Mass vijnë disa ditë pasi një zyrtar i nivelit më të ulët kritikoi Hungarinë, pasi bllokoi një deklaratë të Bashkimit Europian në prill që kritikonte ligjin e ri të sigurisë në Hong-Kong. Reagimi reflekton frustrimin në rritje të Berlinit, me mënyrën se si shtetet anëtare pengojnë veprimin mbi çështje për të cilat shumica dakordësohen

“Nëse e bëjmë ketë, rrezikojmë kohezionin në Europë. Vetoja duhet të hiqet”.

Deklaratat e Maas shënojnë një kritikë të pazakontë ndaj një shteti anëtar. E vetëdijshme për peshën ekonomike dhe politike brenda unionit, Gjermania është zakonisht shumë e kujdesshme të mos tregohet dominuese.

Nuk vonoi reagimi i kryeministrit hungarez, Viktor Orban, sipas të cilit komentet e bënin BE-në të dukej si një tigër patetik prej letre.

“Politika e jashtme në BE duhet të vendoset nga krerët e shteteve dhe qeverive dhe joburokratët. Sa i përket politikës së Europës ndaj Kinës, ne besojmë se duhet parandaluar ringjallja e politikave dhe kulturës së Luftës së Ftohtë”.

Muajin e kaluar, Budapesti refuzoi ratifikimin e një traktati të ri të BE dhe një marrëveshje zhvillimi me Afrikën, Karaibet dhe vendet e Paqësorit. Po ashtu nuk i dha mbështetjen thirrjes së BE-së për armëpushim mes Izraelit dhe Palestinës.