Kafsha që u rikthye në jetë pas 24 mijë vitesh në ngrirje

Nga A2 CNN
8 Qershor 2021, 13:28 | Lifestyle

Një kafshë mikroskopike është ringjallur pasi për 24 mijë vite kishte qëndruar e “fjetur” nën akullin siberian.

Kafsha në fjalë, e quajtur Bdeloid, është një organizëm shumëqelizor jovertebror ujor, që ka një aftësi të pabesueshme për të mbijetuar. Shkencëtarët rusë i gjetën këto krijesa në tokën e ngrirë në Siberi dhe arritën t’i nxirrnin pas gërmimeve.

“Ky studim sjell provat më të forta shkencore se organizmat shumëqelizore mund të durojnë për dhjetëra mijëra vite në ngrirje, në një gjendje ku metabolizmi i tyre është tërësisht i ndaluar”, tha Stas Malavin, një kërkues në Qendrën për Kërkime Biologjike në Rusi.

Në studimet e mëparshme ishte vërtetuar se këto kafshë mund të mbijetojnë deri në 10 vite në ngrirje. Por pas kërkimeve mbi terrenin prej nga u nxorën ekzemplarët e fundit u vërtetua se toka aty kishte qëndruar nën akuj për rreth 24 mijë vite.

Malavin tha gjithashtu se pavarësisht zbulimit tepër të rëndësishëm, ka pak gjasa që kafshë më të mëdha mund të mbijetojnë në këtë mënyrë. Bdeloidi arrin deri në 2 mm gjatësi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos