Kompensimi i ish-pronarëve, vetëm 3% u dëmshpërblyen në 5 vite, fatura rritet me 180 milionë dollarë

Vetëm 3% e ish-zotëruesve të pronave të sekuestruara gjatë regjimit komunist janë kompensuar në pesë vitet e fundit. Sipas të dhënave nga Agjencia për Trajtimin e Pronave, që nga nisja e funksionimit të saj në vitin 2016 e deri në fund të vitit të shkuar janë dëmshpërblyer financiarisht 788 nga 26 091 ish-pronarë përfitues.

Nga ana tjetër, fatura që do t’i rëndojë buxhetit të shtetit pas vendimit të marrë një vit më parë nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut është rritur me 180 milionë dollarë. Lajmin e dha drejtuesja e Agjencisë së Trajtimit të Pronave, Jonida Baci gjatë raportimit në Kuvend.

Kompensimi i ish-pronave të sekuestruara gjatë regjimit komunist rezulton të ketë vijuar me ritme të ngadalta. Trendi vijoi në ulje edhe vitin e shkuar gjatë së cilit ku kompesuan vetëm 106 familje.

Për kryetarin e shoqatës Pronësi me Drejtësi, Myrshit Vorpsi, këto shifra tregojnë mungesë vullneti të qeverisë për të dëmshpërblyer ish-pronarët.

Përveç rasteve të pakta të dëmshpërblyera, në ulje janë edhe aplikimet për kompensim. Bashkë me kompensimet dhe rënien e kërkesave, qeveria ka zvogëluar edhe buxhetin e ndarë për kompensim.

Për vitin 2021, në buxhet parashikohen vetëm 30 milionë dollarë për skemën e kompensimit të pronarëve nga 45 milionë që ishte në 2020.