Komuniteti shqiptar në Greqi, protestë për hapjen e kufijve

MB PROTESTA frame 299 1100x620

Komuniteti shqiptar në Greqi ka njoftuar një protestë sot në orën 18:00  në sheshin “Sintagma” të Athinës me kërkesën e vetme ndaj qeverisë, hapjen e kufijve. Të revoltuar për faktin që autoritetet po e shtyjnë vazhdimisht vendimin për hapjen e tyre, shqiptarët kërkojnë arsye pse kufijtë nuk hapen me Shqipërinë kur diçka e tillë është bërë me vendet e tjera.

Ky vendim i komunitetit shqiptar vjen në një kohë ku autoritetet greke vijojnë të shtyjnë hapjen e kufijve dhe mbajtjen në fuqi të masave kundër COVID-19, ku parashikohet që në dogana të kalojë vetëm një numër i kufizuar personash.

Të mërkurën më 9 qershor, pritet të mblidhet Komiteti i Ekspertëve në Greqi për të lehtësuar një sërë masash, për të përshpejtuar hapjen dhe kthimin në normalitet. Mes masave që priten të lehtësohen, do të jetë edhe shtimi i kuotave në pikat kufitare me Shqipërinë.

Thirrja për protestë në Facebook:

Protestë paqësore në Sintagma për hapjen e kufijve: 08/06/2021, ora 18:00. Hapni tani doganat!

Mos na refuzoni shtëpinë tonë!

Edhe një herë tjetër si emigrantë shqiptarë dhe qytetarë të Greqisë ndiejmë nevojën kaq shumë të kemi një zë të lartë, të fuqishëm dhe të fortë…!

Përse qeveria greke mban mbyllur kufirin me Shqipërinë dhe ka kufizuar në mënyrë asfiktike numrin e hyrjes në Greqi, ndërkohë që me shtetet e tjera ndodh krejtësisht e kundërta?

Përse ky dallim të bëhet vetëm me shqiptarët dhe i detyron ata të gjejnë zgjidhje të tjera?

Përse në këtë moment kur kufizimi i hyrjeve ndëshkon edhe vetë fermerët grekë, të cilët janë në pritje të mijëra punëtorëve të kualifikuar sezonalë që vijnë nga Shqipëria?

Përse ky dallim edhe ndaj minoritarëve grekë?

Përse duhet të “ndëshkohen” me mijëra biznese nga të dy anët e kufirit të cilët kontribuojnë në ekonominë e vendit?

Ju bëjmë thirrje të gjithëve pa përjashtim dhe dallim, të mblidhemi më 8/06/2021 në sheshin “Sintagma” të kërkojmë të drejtat tona në mënyrë Demokratike në një protestë Paqësore.

Të dëgjohet zëri ynë nga qeveria greke, të cilës ne i bëjmë thirrje të rishikojë qasjen e padrejtë ndaj nesh, qytetarëve të saj, pasi vazhdon me penalizmin duke mbajtur mbyllur pikat doganore dhe kështu na privohet një e drejtë themeltare për të udhëtuar drejt vendlindjes dhe anasjelltas në vendin ku kemi zgjedhur të jetojmë dhe ndërtuar jetën tonë, Greqi!

I bëjmë thirrje çdo qytetari, bashkatdhetari, intelektuali, organizate, shoqate etj, të organizohemi dhe të protestojmë në mënyrë demokratike, pasi nga qeveria shqiptare nuk kemi pasur asnjëherë mbështetje!

Mos të mungojë askush, të gjithë së bashku më 8/06/2021 në sheshin “Sintagma”!”.