“Lojë bashkish para Kushtetueses”, Voltana Ademi: Unë jam kryetare e Shoqatës së Bashkive, jemi në një situatë të pazakontë

Pjerin Ndreu u zgjodh këtë të martë kryetar i Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë, por e ftuar në Absolut 4, Voltana Ademi, kryetare e bashkisë së Shkodrës, pretendon se ajo vijon të jetë në krye të kësaj shoqate.

“Unë jam kryetare e Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë. Me një vendimmarrje të komitetit drejtues në korrik të vitit 2019, ne prezantuam në Kushtetuese padinë për zgjedhjet lokale. Pritet që më 23 të kemi një seancë plenare dhe për këtë është thirrur shoqata e bashkive.

Anëtarët e kësaj shoqate janë kryetarët e bashkive, të cilët unë i përfaqësoj në gjykatë. Atyre të gjithëve, në mënyrë arbitrare u është ndërprerë mandati. Askush nuk mund të bëjë interpretime të tjera për sa kohë çështja është në Kushtetuese. Gjykata jonë ka qenë shumë aktive”.

Ademi pranoi se situata është e pazakontë, për faktin se jemi në prag të shqyrtimit të padisë nga Gjykata Kushtetuese për zgjedhjet lokale 2019.

“Jemi në një situatë të pazakontë, pasi kemi paraqitur në kushtetuese një çështje të rëndësishme me interes publik. Nuk është rastësore, që pikërisht shqyrtimi në kushtetuese i kërkesë padisë të jetë pjesë e një prej 15 kushteve të vendosura nga BE”, tha Ademi.