Marrëveshjet Shqipëri-Kosovë, pjesa më e madhe ende pa u realizuar

Zbatimi i marrëveshjeve të firmosura mes qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës ka ngecur. Një fakt të tillë e konstatoi edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në fillim të marsit gjatë një vizite në Shqipëri.

Që prej janarit të vitit 2014 kur u realizua takimi i parë në Prizren, e deri në takimin e fundit mes dy qeverive më 2 tetor të vitit të shkuar, numri i marrëveshjeve të nënshkruara mes Shqipërisë dhe Kosovës është mbi 80.

Nga kjo duzinë marrëveshjesh të firmosura, vetëm një pjesë janë materializuar. Fatin që të realizohen e kanë pasur marrëveshjet për heqja e tarifave roaming, pika doganore e Kosovës në Portin e Durrësit apo unifikimi i modeleve të certifikatave shëndetësore.

Gjithashtu janë realizuar pjesërisht, krijimi i bursës shqiptare të energjisë elektrike, Fondi Zhvillimor për Luginën e Preshevës, si dhe Dhoma Ekonomike Shqipëri-Kosovë.

Fatkeqësisht, pjesa tjetër, ajo dërrmuese e marrëveshjeve të firmosura vijon të mbetet në letër. Sipas një analize të realizuar vitin e shkuar nga Instituti GAP dhe Riinvest në Kosovë, në fushën e tregtisë, rreth 49 për qind e objektivave janë realizuar, 40 për qind janë ende në zbatim ndërsa 11 për qind nuk janë realizuar fare.