Media jashtë Kuvendit, Krasniqi: Moment kritik për hapësirën e informimit. Protesta e gazetarëve, lajm i mirë

Vendimi i Kuvendit për të mos lejuar median për të ndjekur fizikisht punimet e komisioneve parlamentare është komentuar gjerësisht në emisionin Absolut 4 gazetaren Merita Haklaj.

Për analistin Afrim Krasniqi nga Instituti i Studimeve Politike tashmë jemi në një nga momentet më kritike për hapësirën e informimit, duke qenë se të gjitha institucionet kryesore dhe partitë e tyre i kanë mbyllur dyert për gazetarët.

“Kemi të bëjmë me një vendim të marrë pa konsultim. Çdo akt duhet të konsultohet. Të gjitha përfaqësitë e kanë marrë vesh këtë akt nga mediat. Vetë gazetarët, në komunikim të vazhdueshëm që kemi pasur me Kuvendin, është thënë prej vitesh që ka një projekt të tillë dhe gjithnjë kemi ngritur shqetësimin se a janë pyetur gazetarët? Dhe gjithnjë na është thënë po. Ne komunikuam me të gjithë gazetarët që mbulojnë parlamentin dhe të gjithë na konfirmuan se nuk kanë qenë pjesë e ndonjë konsultimi dhe kjo përbën problematikën më të madhe të këtij akti.

Ky është një akt i mbyllur, në fundin e mandatit dhe nga deputetë që nuk do të jenë më pjesë e parlamentit të ri. Ky është një akt për të kontrolluar informacionin dhe për ta larguar gazetarin nga Kuvendi. Tani qeveria është mbyllur, nuk ka më konferencë shtypi, ka vetëm ERTV. Partitë i kanë mbyllur. Nuk lejon asnjë parti që të filmojë aktivitetet e veta. Institucionet e tjera i kanë mbyllur dhe nuk kanë më filmime. Kjo është një nga momentet më kritike për hapësirën e informimit dhe të drejtën e gazetarit për të ushtruar profesionin”, tha Krasniqi.

Sa i përket protestës së ditës së nesërme të njoftuar nga gazetarët, Krasniqi u shpreh se është një lajm i mirë në një situatë kur ka rënie të moralit, ndërsa theksoi se kryetari i parlamentit duhet të reagojë.

“Protesta nesër është lajm i mirë. Ka një rënie morale, një humbje shpresë, por gjërat mund të ndryshojnë dhe gazetarët po tregojnë se nuk kanë ndërmend të dorëzohen. Mendoj se do të ketë reagime edhe nga institucionet ndërkombëtare. Parlamenti ka bërë një investim kundër vetes, pasi ka kthyer të gjitha mediat kundër dhe kjo për të ruajtur imazhin e katër kryetarëve, të cilët ishin ankuar se gazetarët i bezdisnin. Ky nuk është rasti për të treguar se kush është më i forti. Unë besoj se drejtuesi i parlamentit duhet të rrëzojë atë akt”, përfundoi Krasniqi.