Nuk i paguan hakun dhe shkon me pushime, kompania i shkatërron shtëpinë

Foto 1/1

Kishin ikur me pushime, të parat pas periudhës pandemike. Por kur u rikthye, 40-vjeçari Jay Kurji nuk mund t’i besonte syve. Shtëpia e blerë pak kohë më parë për më shumë se 550 mijë euro në afërsi të Leicester, në Britaninë e Madhe, ishte pothuajse e shkatërruar.

Rrjedhje gazi, tërmet, apo sulm terrorist? Asnjëra prej tyre, por thjesht një faturë e papaguar. Autori i shembjes në fakt rezultoi vetë kompania që muaj më parë kishte ndërmarrë punimet për ta adaptuar banesën me standardet e eficiencës energjetike.

Por pronari dhe kompania kishin një çështje të pazgjidhur, mbi një pagesë prej rreth 4 mijë eurosh që i pari duhet t’i paguante kompanisë. Pas refuzimit të tij fillestar, kompania priti që familja të ikte me pushime dhe shkatërroi të gjitha punimet që kishte bërë, duke marrë mbrapsht materialet e përdorura, me komshinjtë  e familjes me pushime që shihnin pafjalë.

I njoftuar pikërisht nga komshinjtë, Kurji komunikoi me policinë, që gjykoi se nuk ishte çështje kjo ku mund të ndërhynte, duke e cilësuar si mosmarrëveshje palësh.

 Një gjë pronari i dëshpëruar e ka mësuar me siguri. Të mos krijojë hatërmbetje me personat me të cilët punon, ose të mos shkojë më me pushime.