Shoqata e Bashkive nuk njeh vendimin: Organet drejtuese mbeten të pandryshuara

MB VOLTANA ADEMI frame 268 1100x620

Shoqata e Bashkive ka reaguar edhe njëherë në lidhje me atë që ajo e quan mbledhjen e pretenduar të asamblesë që zgjodhi Pjerin Ndreun si kryetarin e ri të saj, duke zëvendësuar në detyrë Voltana Ademin.

Shoqata e Bashkive shkruan se në këtë mbledhje kanë marrë pjesë të gjithë përfaqësuesit e organizmit tjetër të pushtetit lokal që quhet “Shoqata për autonomi vendore” dhe që drejtohet nga kryebashkiaku Erion Veliaj.

Në reagimin e kësaj shoqate shkruhet se personat që morën pjesë në mbledhje nuk e njohin statusin e tyre dhe nuk paguajnë kuotat e detyrueshme.

“Statuti i Shoqatës së Bashkive, në nenin 8 të tij parashikon se: Anëtarë të Shoqatës së Bashkive mund të jenë të gjitha bashkitë shqiptare të cilat pranojnë statutin e saj dhe që përpiqen të realizojnë qëllimet dhe misionin e Shoqatës si dhe paguajnë rregullisht kuotizacionin.

Ne sjellim në vëmendje se prej momentin të marrjes së detyrës të përfaqësuesve të bashkive në fjalë pas zgjedhjeve të qershorit 2019, ata nuk kanë shprehur vullnetin për të plotësuar ndonjë prej 3 kushteve të parashikuara në nenin e sipërcituar”, shkruhet në reagim.

Për këtë motiv, qëndrimi i Shoqatës së Bashkive është se organet drejtuese të saj do të mbeten të pandryshuara deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese mbi ligjshmërinë e zgjedhjeve të 30 qershorit 2019.