Tjetër vrasje në Shqipëri, vritet pas një konflikti banal 45-vjeçari në Peqin

Nuk ka të ndalur krimi në Shqipëri, një tjetër vrasje trondit vendin mëngjesin e sotëm në Peqin, pak orë pas asaj të ndodhur mbrëmjen e djeshme në Librazhd.

Policia njofton se vrasja ka ndodhur rreth orës 08:30 të mëngjesit në fshatin Gjocaj, të Peqinit, pas një konflikti për motive të dobëta. Mësohet se një 40-vjeçar ka plagosur me armë zjarri një 45-vjeçar në këtë fshat, i cili ka ndërruar jetë në spitalin e Peqinit, si pasojë e plagëve të marra.

Në foto viktima Ylber Xhahysa

Autori i kësaj ngjarjeje të rëndë është Leonard Bashaliu, ndërsa viktima Ylber Xhahysa. Policia ka arrestuar disa minuta pas ngjarjes, autorin e vrasjes së 45-vjeçarit, dhe ka sekuestruar armën e krimit.

Njoftimi i Policisë

Policia kap dhe vë në pranga disa minuta pas ngjarjes, autorin e vrasjes së 45-vjeçarit, ndodhur në fshatin Gjocaj, Peqin.

Më datë 08.06.2021, rreth orës 08:30, në fshatin Gjocaj, Peqin, gjatë një konflikti për motive të dobëta, shtetasi L. B, rreth 40 vjeç, banues në Gjocaj, ka plagosur me armë zjarri shtetasin Y. Xh, rreth 45 vjeç, banues në fshatin Pajov, i cili si pasojë e plagëve ta marra ndërroi jetë në spitalin e Peqinit.

Reagimi i menjëhershëm i Policisë bëri të mundur identifikimin e autorit, lokalizimin e vendndodhjes  dhe pas disa minutash ndjekje nga shërbimet e Policisë u bë e mundur kapja dhe prangosja e autorit të dyshuar së bashku me armën e zjarrit pistoletë.