Sondazh: Sa ju kanë funksionuar dietat e shpejta pranverore?
  • Gjithmonë 18%
  • Me raste 45%
  • Asnjëherë 36%

Urdhër ekzekutiv i Biden për bllokimin e pasurive dhe pezullimin e hyrjes në SHBA të personave që kontribuojnë në destabilizimin e Ballkanit Perëndimor, në listë futet edhe Shqipëria

Nga A2 CNN
8 Qershor 2021, 22:52 | Politikë
Urdhër ekzekutiv i Biden për bllokimin e pasurive dhe pezullimin e

Shqipëria është përfshirë në një urdhër ekzekutiv të Presidentit Joe Biden për bllokimin e pasurive dhe pezullimin e hyrjes në Shtetet e Bashkuara të personave që kontribuojnë në destabilizimin e Ballkanit Perëndimor.

“Urdhri zgjeron hapësirën gjeografike të regjimit ekzistues të sanksioneve, duke përfshirë edhe Shqipërinë dhe zgjeron kriteret për kërcënimet aktuale ndaj sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara dhe interesave të politikës së jashtme në rajon, duke përfshirë pengimin e proceseve demokratike dhe gjyqësore, korrupsionin dhe krimin e organizuar”, thuhet në një njoftim të Shtëpisë së Bardhë.

Në letrën që Biden i dërgon Senatit dhe Kongresit bëhet fjalë për ndryshimin e një dekreti ekzistues të miratuar fillimisht në qershor 2001, ku përfshiheshin shtete që dikur ishin pjesë e Jugosllavisë. Tashmë në të do të jetë përfshirë dhe Shqipëria.

Mes të tjerash, në urdhrin ekzekutiv thuhet qartë se: "Të gjithë pronat apo interesat mbi pronat që janë në Shtetet e Bashkuara, që vijnë në të ardhmen në Shtetet e Bashkuara, ose që vijnë në të ardhmen në pronësi apo në kontroll të një personi në Shtetet e Bashkuara do të bllokohen dhe nuk mund të transferohen, paguhen, eksportohen, tërhiqen, nga asnjë person".

Urdhri që zgjeron kompetencat për të marrë masa ndaj personave që janë të përfshirë në këto kategori, vjen pak ditë pasi Shtëpia e Bardhë shpalli luftën kundër korrupsionit si një përparësi absolute të interesave të sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara.

Urdhri fillestar ekzekutiv i vitit 2001 nga ish-Presidenti George W. Bush, pas luftrave në Ballkan, parashikonte sanksione në lidhje me ekstremizmin e dhunshëm, shkeljen e Marrëveshjeve të Dejtonit dhe Rezolutën 1244 të OKB-së për Kosovën. Që prej atij viti, urdhri është rinovuar çdo vit nga pasuesit e Bush.

https://a2news.com/2021/06/08/urdhri-ekzekutiv-i-biden-reagon-yuri-kim-lufta-kunder-korrupsionit-thelbi-i-sigurise-kombetare-te-shba/

A2 CNN Livestream

Dita jonë