Ushtarët nuk duhet të pinë më, Gjermania “riatdheson” 22500 litra birrë nga Afganistani

gjermania riatdheson birren nga afganistani 1100x620

Gjermania ka vendosur të rikthejë në shtëpi më shumë se 22500 litra birrë, të dërguar në Afganistan për ushtarët e saj.

Komandantët gjermanë kanë ndaluar ushtarët të konsumojnë alkool, pasi procesi i tërheqjes së trupave të NATO-s nga vendi ka bërë që të rriten rastet e dhunës.

Autoritetet vendase nuk patën mundësi ta shisnin birrën, për shkak se pjesa dërrmuese e popullsisë afgane nuk konsumon alkool, pasi praktikon fenë islame.

Një zëdhënës i Ministrisë gjermane të Mbrojtjes tha se për “riatdhesimin” e birrës është kontraktuar një kompani private.

Në prill, presidenti amerikan, Joe Biden, deklaroi se të gjitha forcat ushtarake do të tërhiqeshin nga Afganistani më 11 shtator 2021. Edhe shtetet e tjera aleate të SHBA në NATO thanë se do të bënin të njëjtën gjë.

Gjermania ka më shumë se 1100 trupa në Afganistan, ndërsa 59 ushtarë gjermanë kanë humbur jetën atje që prej nisjes së konfliktit. Sipas “Der Spiegel”, ushtarëve gjermanë u lejohet të konsumojnë dy kanoçe birrë në ditë, por në bazën “Marmal” në veri të Afganistanit janë magazinuar më shumë se 60 mijë të tilla, si dhe qindra shishe vere e shampanje.