Varianti indian në Shqipëri?! Ka raste të dyshuara, asnjë i konfirmuar me “Delta”

Në Shqipëri nuk ka ende persona të konfirmuar me mutacionin indian të Covid-19, por nuk mungojnë rastet e dyshuara. Ditët e fundit në laboratorin e Institutit të Shëndetit Publik janë kryer analiza tek personat e dyshuar, por kanë rezultuar negative.

“Deri tani nga ana epidemiologjike raste të dyshuara ka, por asnjë sinjal i veçantë për qarkullimin e ketij mutacioni”,

Ajo që po shqetëson mbarë botën është transmetueshmëria e lartë e variantit indian dhe simptomat krejt të ndryshme nga mutacioni britanik dhe ai klasik i Covid-19.

“Nga vlerësimet e situatës sidomos në Britani, mendohet se është 50% më i transmetueshëm se varinti britanik, ku ky i fundit ishte 50-100% më i transmetueshëm se varianti origjinal i Covid-19. Mutacioni indian ka një klinikë ndryshe, më pak raste me temperaturë dhe kollë dhe më së shumti dhimbje koke, diare dhe të përziera”, shtoi Iris Hasibra.

Specialistja e Institutit të Shëndetit Publik thotë se ende nuk ka të dhëna të sakta se si veprojnë vaksinat anticovid ndaj variantit të ri delta.

“Janë duke u parë këto raste nga kompanitë e vaksinave dhe agjencitë e Shëndetit Publik në botë, por ende nuk ka të dhëna të sakta”, shtoi Hasibra.

Shefja për Sëmundjet Infektive në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Bino në profilin e saj në Facebook ka deklaruar se në muajt që do të vijnë më shumë gjasë varianti indian i koronavirusit do të zëvendësojë atë britanik për faktin së është më infektues.

Bino thekson se vaksinat Pfizer dhe AstaZeneca veprojnë mjaft mirë ndaj tij, por gjasat janë që edhe dy llojet e tjera që aplikohen në vendin tonë Sputnik e Sinovac të veprojnë mjaft mirë ndaj këtij varianti.