Zgjedhjet vendore në Kushtetuese, Ademi: Konfirmohet qëllimi i kapjes së Shoqatës së Bashkive

Kryetarja e Shoqatës së Bashkive, Voltana Ademi, kërkon edhe një herë vëmendjen e ambasadorëve pasi sipas saj u konfirmuan dyshimet që ajo kishte se Partia Socialiste po bën një tentativë për të marrë kontrollin e kësaj shoqate, në emër të së cilës është bërë padi pranë Gjykatës Kushtetuese mbi legjitimitetin e zgjedhjeve vendore të vitit 2019. Në letrën e dytë drejtuar ambasadorëve, Ademi shpjegon se kryebashkiakët socialistë e pohojnë hapur që kanë si qëllim mbrojtjen e interesave të Shoqatës në Gjykatën Kushtetuese.

“Shqyrtimi dhe Vendimi për ligjshmërinë e zgjedhjeve lokale 2019 është një ndër 15 kushtet  që Shqipëria duhet të përmbushë për çeljen e negociatave për anëtarësimin në BE, kushte të dakordësuara në takimin e Ministrave për Europën. Ritheksojmë se Shoqata e Bashkive të Shqipërisë, shoqëria civile në Shqipëri, qytetarët shqiptarë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian, Këshilli i Evropës, të gjithë partnerët dhe organizatat ndërkombëtare, janë në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese”.   

Deri më tani, përfaqësuesit e pushtetit vendor janë grupuar në dy shoqata të ndryshme, të djathtët nën drejtimin e Voltana Ademit dhe të majtët nën drejtimin e Erion Veliajt. Me zgjedhjet e vitit 2019 në ish-bashkitë e djathta drejtimin e kanë tashmë socialistët, që përmes zgjedhjes së organeve të reja drejtuese të Shoqatës së Bashkive, kërkojnë marrjen e kontrollit dhe largimin e Voltana Ademit nga drejtimi.