Basha: Masakra zgjedhore nuk na ndal. Ne jemi të bashkuar dhe nuk dorëzohemi

WhatsApp Image 2021 06 09 at 16.06.25 1100x620

Lulzim Basha vijoi takimet me demokratët në Tiranë në prag të zgjedhjeve të 13 qershorit për kreun e Partisë Demokratike.

Basha theksoi se do të vazhdojë të luftojë së bashku me demokratët për të rrëzuar atë që ai e quan regjimi Rama-Doshi dhe për të ndryshuar Shqipërinë.

“Edi Rama po përpiqet tashmë që i kanë rënë përpjekjet e vjetra për të na përçarë, të mbjellë një tjetër fidan përçarje mes nesh me të cilin mundësisht të merremi nga mëngjesi deri në darkë, duke u marrë me vetveten, me njëri-tjetrin, me shoqi shoqin, kë keni në krah, në vend që të fokusojmë të gjithë energjinë dhe gjithë bashkimin tonë përballë të vetmit kundërshtar dhe të vetmit armik që kemi ne demokratët, që kanë shqiptarët dhe që ka Shqipëria, që është regjimi i tij dhe i Tom Doshit me shokë. Dhe kjo përçarje po mbillet në mënyrën më perfide, por ne duhet ta refuzojmë dhe do ta refuzojmë sepse për fat të mirë ku kam qenë në Shqipëri, nga jugu në veri, në çdo degë që kam vizituar dhe në çdo degë që do të vizitoj deri të premten, jam i bindur që do të shoh të njëjtën gjë që po shoh dhe këtu. Baza demokrate është e bashkuar, është pa dilema sepse keni qenë vetë pjesëmarrës në këtë fushatë.

Ndaj dhe thirrja ime që prej ditës së parë të nisjes së këtij procesi ka qenë, le ta bëjmë këtë garë që në fakt është një vlerë e shtuar e familjes tonë, ashtu siç duhet, në respekt të plotë të rregullave dhe të manifestojmë para të gjithë qytetarëve shqiptarë edhe përmes kësaj gare sepse ne dhe vetëm ne jemi shpresa për demokraci në vend, ne dhe vetëm ne jemi familja e vlerave të vërteta në këtë vend.

Por nga ana tjetër le të refuzojmë çdo nxitim, çdo ngutje të çdo mendje të turbulluar për të gjetur arsye që ti bjerë me shkelm sakrificës së demokratëve apo të cenojë ato që kemi ndërtuar së bashku me kaq sakrifica duke ngritur dilema të paqena sepse me të vërtetë dorëzimi para këtyre dilemave është fija e kashtës ku dëshiron të kapet i mbyturi i 25 prillit”, tha Basha.