Kalojnë vitet dhe ndryshojnë sunduesit, por një top ushton çdo mesditë në Hong Kong

Një top ushton në Hong Kong, me një jehonë aq të fortë sa të gjithë turistëve që kalojnë aty pranë i bën të mendojnë se po përjetojnë një tërmet.

Por vendasit nuk tremben, dhe maksimalisht shohin orët e tyre. Sepse ai top në ish-koloninë britanike bie pikërisht në mesditë, me periudha të pakta ndërprerje, nga viti 1860.

Tradita e topit të quajtur “Jardine Noonday Gun” dhe që sot është një nga atraksionet e Hong Kongut vjen nga një traditë e hershme që buron nga koha koloniale. Vendi ku ndodhet arma është prona e parë e shitur një kompanie të huaj në Hong Kong, e cila është ende pronare e saj.  Bëhet fjalë për kompaninë Jardin Matheson, që ekziston ende sot me interesa që shkojnë nga tregu i pronave deri tek prodhimi i automjeteve.

Nga viti 1860 sa herë që kreu i kompanisë hynte në zyrat e tij, topi ushtonte. Ngjarja e përsëritur i pëlqeu autoriteteve ushtarake britanike që kontrollonin Hong Kongun , që urdhëruan që  të kthehej në traditë të kolonisë së atëhershme, por që të ndodhte përherë në mesditë.

Përtej një periudhe kur japonezët pushtuan territorin e qytetit-shtet, topi ka qenë pjesë e pandashme e jetës aty, edhe pse në vitet ’60 topi origjinal u zëvendësua me një tjetër pak më të vogël, për të shmangur zhurmën që ishte pothuajse e padurueshme. Rikthimi i Hong Kongut te Kina nuk ka ndryshuar gjerat, të paktën për momentin.

Sot topi mund të vizitohet vetëm 30 minuta në ditë, dhe radha është gjatë, edhe në kohë pandemie. Disa mund të kenë edhe privilegjin të gjuajnë me top në një metropol me pothuajse 8 milionë banorë. Por kjo nuk vjen falas. Një mundësi e tillë paguhet rreth 3 mijë euro për individët dhe 4 mijë euro për kompanitë, por paratë shkojnë të gjitha në bamirësi.