Kuvendi shkarkon Metën, PD: Farsë, Gjykata Kushtetuese të garantojë pavarësinë e institucioneve

Partia Demokratike e quajti sulm antikushtetues të Parlamentit ilegjitim mbi Institucionin e Presidentit vendimin për shkarkimin e tij.

“Ky akt thellon edhe më shumë tiparet antidemokratike të regjimit Rama-Doshi. Ky akt vjen menjëherë pas masakrës zgjedhore dhe grabitjes më të madhe të votave të kryer ndonjëherë.

Përfaqësuesit e krimit të organizuar në Kuvendin njëpartiak të Shqipërisë nuk mund të jenë kurrë garant të Kushtetutës dhe as nuk mund të marrin vendime në emër të saj. Edi Rama ka përdhosur me qindra herë Kushtetutën e Shqipërisë dhe është ekspozuar përpara çdo shqiptari si armik i demokracisë dhe shtetit ligjor.

Partia Demokratike e konsideron antikushtetues vendimin e Kuvendit njëpartiak për shkarkimin e Presidentit të Republikës dhe kërkon nga Gjykata Kushtetuese të ruajë paanësinë dhe të garantojë pavarësinë e institucioneve kushtetuese, duke refuzuar farsën për shkarkimin e Presidentit të Republikës”, thuhet në reagimin e PD.