Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 50%
  • Qendrat historike 0%

Kuvendi voton shkarkimin e Presidentit me 104 vota pro. Reagon Meta: Miq, ju uroj një pasdite të qetë

Nga A2 CNN
9 Qershor 2021, 15:02 | Politikë

Me 104 vota, Kuvendi votoi pro shkarkimit të presidentit Ilir Meta. Në pesë orë seancë plenare, socialistët nuk treguan mëdyshje duke mbledhur mes opozitës më shumë se votat e nevojshme për shkarkimin e Metës. 

Gjatë seancës, shumica argumentoi shkeljet e presidentit Ilir Meta që sipas tyre, përbëjnë shkak për ta shkarkuar. Përveç Alket Hysenit, kreut të Komisionit Hetimor të ngritur për shkarkimit e Metës, argumentet se përse ai nuk duhet të jetë më president i dha edhe kryeministri Edi Rama, i cili doli në foltoren e Kuvendit pas disa muajsh mungesë.

“Ky parlament sot duhet të ushtrojë pa ngurrim vullnetin e më shumë se 90% të popullit shqiptar për ta shkarkuar Ilir Metën. Keqardhje për mikun tonë të dikurshëm Ilir, por Meta I sotshëm nuk mund të ketë kurrsesi më statusin e lartë që I jep Parlamenti”, tha Rama.

Pavarësisht 104 votave, fjalën e fundit për shkarkimin e Presidentit do ta japë Gjykata Kushtetuese e cila ka 3 muaj kohë për t’u shprehur me vendim, vlefshmëria e të cilit do të varet nga qëndrimet e trupës ende të pa plotësuar.

https://youtu.be/Qxz6nOiQhH8

Politikisht, socialistët e quajnë të mbyllur marrëdhënien e tyre me Ilir Metën. “Çdo vendim i Gjykatës Kushtetuese është I vlefshëm kur pesë prej tyre janë shprehur pro vendimit. Pra vendimi I shkarkimit kërkon pesë vota në Gjykatë”, tha Taulant Balla. “Puna jonë në marrëdhënie me Ilir Metën mbaroi sot. Parlamentin në shtator e thërret presidenti i Republikës. Nëse nuk e bën këtë, brenda 10 ditësh do të mblidhet”.

Meta: Të dashur miq, ju uroj një pasdite të qetë, relaksuese dhe të qeshur

Pas vendimit, presidenti postoi në Facebook gafën e deputetit Selami Jenisheri, i cili tha nga foltorja e Kuvendit se “do u dalim zot nipërve dhe mbesave tona pensionistë, të cilëve u është mohuar e drejta e votimit”.

“Koalicioni ynë, i drejtuar nga deputeti Kujtim Gjuzi, i është drejtuar Komisionit të Zgjedhjeve për mos të pasur pasoja të tilla për vjedhjet dhe është anashkaluar. Nuk është dhënë përgjigje. Ne do ta çojmë në Gjykatë Kushtetuese. Do iu dalim zot, nipërve dhe mbesave tona pensionist, të cilët iu është mohuar e drejta e votimit. Emigrantëve nuk mund t’u blihen votat”, tha Jenisheri.

“Të dashur miq, ju uroj një pasdite të qetë, relaksuese dhe të qeshur duke ju përshëndetur të gjithëve me këtë thënie frymëzuese”, shkroi Meta me ironi.

https://youtu.be/Y6z1EvmyWDw

PD: Farsë, Gjykata Kushtetuese të garantojë pavarësinë e institucioneve

Partia Demokratike e quajti sulm antikushtetues të Parlamentit ilegjitim mbi Institucionin e Presidentit vendimin për shkarkimin e tij.

“Ky akt thellon edhe më shumë tiparet antidemokratike të regjimit Rama-Doshi. Ky akt vjen menjëherë pas masakrës zgjedhore dhe grabitjes më të madhe të votave të kryer ndonjëherë.

Përfaqësuesit e krimit të organizuar në Kuvendin njëpartiak të Shqipërisë nuk mund të jenë kurrë garant të Kushtetutës dhe as nuk mund të marrin vendime në emër të saj. Edi Rama ka përdhosur me qindra herë Kushtetutën e Shqipërisë dhe është ekspozuar përpara çdo shqiptari si armik i demokracisë dhe shtetit ligjor.

Partia Demokratike e konsideron antikushtetues vendimin e Kuvendit njëpartiak për shkarkimin e Presidentit të Republikës dhe kërkon nga Gjykata Kushtetuese të ruajë paanësinë dhe të garantojë pavarësinë e institucioneve kushtetuese, duke refuzuar farsën për shkarkimin e Presidentit të Republikës”, thuhet në reagimin e PD.

Rama: Keqardhje për mikun e djeshëm Ilir

Në fjalën e tij në Kuvend gjatë seancës, kryeministri Rama tha se kreu i shtetit ka tradhtuar misionin e presidentit të Shqipërisë, ka poshtëruar Kushtetutën dhe ka turpëruar Shqipërinë e shqiptarët në marrëdhëniet me SHBA. Sipas tij, Shqipëria nuk mund ta mbajë më në kurriz Ilir Metën.

“I ka humbur plotësisht të gjitha shanset që i janë dhënë bujarisht për t’u kthyer në binarët e arsyes morale e ligjore. Shqipëria nuk mund ta mbajë më në kurriz Ilir Metën duke u bërë gazi i botës. Parlamenti duhet të ushtrojë vullnetin e 90% për ta shkarkuar. Keqardhje për mikun e djeshëm Ilir, por Meta i sotshëm sot nuk mund të jetë statusin e lartë që i ka dhënë parlamenti. Fjalët për të si president kanë mbaruar. Tani të flasë parlamenti me votë”, tha Rama.

https://youtu.be/kz4zsIG6Qrs
https://a2news.com/2021/06/09/seanca-per-shkarkimin-e-metes-rama-me-vjen-keq-per-mikun-e-djeshem-por-nuk-mund-te-jete-president/
https://a2news.com/2021/06/09/meta-pret-me-valle-dibrane-votimin-ne-kuvend-per-shkarkimin-e-tij/

A2 CNN Livestream

Dita jonë