Liderët e G7, në një skulpturë me mbetje elektronike

Në prag të samitit të liderëve të G7, është ndërtuar në Cornwall një skulpturë e liderëve të G7, e ndërtuar me mbetje elektronike. E formuar si Mali Rushmore, ajo është quajtur “Mount Recyclemore”, për të nxjerrë në pah dëmin e shkaktuar nga asgjësimi i pajisjeve elektronike.

Skulptori Joe Rush tha se shpresonte që kjo do të tregonte se ato duheshin bërë më lehtë të ripërdorshme ose të riciklueshme.

Ai tha: “Duhet të riparohet ose të bëhet që të zgjasë më shumë sepse gjërat po shkojnë në landfild”.

Sipas një raporti të Kombeve të Bashkuara, më shumë se 53 milionë ton mbeturina elektronike u gjeneruan në të gjithë botën në 2019, mbi 9 milionë ton më shumë se pesë vjet më parë.

Shtatë udhëheqësit e përshkruar në skulpturë janë kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Boris Johnson, kryeministri i Japonisë Yoshihide Suga, presidenti Francez Emmanuel Macron, kryeministri i Italisë Mario Draghi, kryeministri kanadez Justin Trudeau, kancelarja e Gjermanisë Angela Merkel dhe presidenti i SHBA Joe Biden.

Vendndodhja është shumë e dukshme përgjatë Hotel Carbis Bay, ku samiti do të zhvillohet këtë fundjavë, me shpresën se ata që përshkruhen do ta vinin re.

“Shpresojmë se do të ndërgjegjësohen dhe do të kuptojnë se janë të gjithë së bashku në këtë biznes të mbeturinave. Mesazhi kryesor është: “Bisedoni me njëri-tjetrin’ dhe ta zgjidhim këtë rrëmujë”, tha skulptori.