Natyra e zbukuroi, por njeriu e harroi

Një nga zonat më të bukura që ka “qendisur” natyra në veri të vendit është edhe Shishtaveci. I ndodhur në lartësinë 1500 metra mbi nivelin e detit dhe pjesë e parkut kombëtar Korab-Koretnik, Shishtaveci i bukur është lënë në harresë. Vizitorët konstatojnë mungesën e investimeve, të cilat, sipas tyre, janë në përpjestim të zhdrejtë me natyrën, e cila i ka falur gjithçka kësaj zone.

Fshati Shishtavec në Kukës, në këto ditë vere ofron një pamje piktoreske, ajrin dhe ujin e pastër, si dhe natyrën e bukur. Fshati ka nisur të gjallërohet nga vizitorët e parë, kryesisht ata vendas. E kush më shumë sesa një grup maturantësh mund t’i jepnin gjallëri kësaj zone, e cila i ndihmon edhe të heqin stresin nga provimet.

Fshati Shishtavec, që shtrihet në lartësinë e 1500 metrave në trekëndëshin kufitar Shqipëri-Kosovë-Maqedoni, konsiderohet një zonë tërheqëse për zhvillimin e turizmit malor. Turistët vendas dhe të huaj kërkojnë një natyrë të pastër dhe këtë e gjejnë në pllajën e Shishtavecit, pasi gjithçka këtu është natyrale.

Por, ndërsa natyra ka treguar bujarinë e saj, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për investimet e munguara në këtë zonë. Dhe këtë mungesë e pohojnë edhe vetë vizitorët.

Ndërkohë, ato pak banorë të cilët kanë mbetur në Shishtavec, nuk po arrijnë të krijojnë një turizëm të qëndrueshëm, sa për shkak të infrastrukturës së dobët, por edhe mungesës së shërbimeve dhe akomodimit.

Shishtaveci është pjesë e 100 fshatrave turistikë dhe pjesë e parkut kombëtar Korab-Koretnik. Zona e Shishtavecit konsiderohet një nga pjesët më të bukura malore të Shqipërisë. Premtimet për zhvillimin e turizmit përmes investimeve nga qeveria kanë qenë të shumta gjate viteve të fundit, por deri më tani asgjë nuk është bërë në këtë drejtim.